WhatsApp do të ofrojë modalitetin incognito në bisedat me MetaAI
Meta ka njoftuar se po sjell një shërbim të ri “incognito” për bisedat me chatbot-in Meta AI në WhatsAppdhe në aplikacionin e veçantë Meta AI. Këto biseda do të zhvillohen në një mjedis të sigurt dhe privat, ku as Meta dhe as përdorues të tjerë nuk do të kenë akses në përmbajtjen e tyre. Përdoruesit do të mund të nisin një sesion incognito duke shtypur një ikonë të re në bisedat individuale me Meta AI. Funksioni pritet të shpërndahet gradualisht gjatë muajve të ardhshëm.
Meta thekson se bisedat incognito nuk do të ruhen dhe mesazhet do të zhduken automatikisht sapo përdoruesi të mbyllë chat-in. Sesioni gjithashtu përfundon nëse aplikacioni mbyllet ose telefoni bllokohet, ndërsa Meta AI humbet kontekstin e asaj bisede. Sipas Alice Newton-Rex, zv.presidente e produkteve në WhatsApp, njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale për çështje personale, si këshilla financiare, shëndetësore apo komunikime të ndjeshme, ndaj privatësia është bërë thelbësore.

Ky zhvillim bazohet në punën që Meta ka bërë prej kohësh për të mbrojtur privatësinë në WhatsApp. Vitin e kaluar kompania prezantoi infrastrukturën e saj të “private processing”, e cila lejon shërbime të AI pa cenuar enkriptimin end-to-end. Mbi këtë bazë janë ndërtuar edhe funksione të tjera, si përmbledhjet automatike të mesazheve.
Meta po zhvillon gjithashtu një veçori të re të quajtur “Side Chat”, që do t’u lejojë përdoruesve të konsultohen privatisht me Meta AI brenda një bisede grupi pa e bërë të dukshme për pjesëmarrësit e tjerë.
Lëvizja e Metës vjen në një kohë kur shqetësimet për privatësinë e bisedave me AI janë rritur. Ekspertë ligjorë kanë paralajmëruar se komunikimet me chatbot-e mund të përdoren si prova në procese gjyqësore.
The post WhatsApp do të ofrojë modalitetin incognito në bisedat me MetaAI first appeared on Geek Room.