Jori Vila shpallet “Social Star Woman Entrepreneur 2026” nga RCC

Sipërmarrësja shqiptare Jori Vila, themeluese dhe drejtuese e Oz Marketing, është shpallur fituese e çmimit “Social Star Woman Entrepreneur 2026“, në kuadër të iniciativës Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year, organizuar nga Regional Cooperation Council (RCC).

Vlerësimi u nda gjatë ceremonisë së zhvilluar në Sarajevë, ku u nderuan gjashtë sipërmarrëse nga Ballkani Perëndimor që kanë spikatur për kontributin e tyre në inovacion, qëndrueshmëri, kreativitet dhe transformim digjital. Nga rreth 180 nominime nga i gjithë rajoni, juria përzgjodhi gjashtë fitueset e këtij viti, duke vlerësuar ndikimin e tyre në ekonomi dhe komunitet.

Jori Vila u vlerësua në kategorinë “Social Star Woman Entrepreneur” për kontributin e saj në marketing, komunikim dhe ndërtimin e markave personale e korporative. Sipas RCC, ajo ka ndihmuar sipërmarrës, kompani dhe organizata të ndërtojnë identitete më të forta, të komunikojnë me qartësi dhe të rrisin dukshmërinë e tyre në hapësirën digjitale. Përmes ekspertizës së saj, ajo ka mbështetur zhvillimin e markave dhe ka kontribuar në krijimin e një komunikimi më efektiv mes bizneseve dhe publikut.

Oz Marketing, kompania e themeluar nga Vila në vitin 2020, është kthyer në një nga agjencitë më aktive në fushën e marketingut dhe komunikimit në Shqipëri, duke mbështetur dhjetëra biznese në zhvillimin e markës, strategjisë dhe pranisë së tyre digjitale.

Ceremonia u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanović, i cili theksoi se sipërmarrëset nuk kërkojnë trajtim të veçantë, por mundësi të barabarta për akses në financim, tregje, rrjete bashkëpunimi dhe njohje për vlerën që krijojnë. Ai nënvizoi se sipërmarrja e grave nuk është vetëm një çështje barazie, por edhe një faktor kyç për konkurrueshmërinë ekonomike të rajonit.

Përveç Jori Vilës, fituese të edicionit 2026 u shpallën edhe Tamara Đurić (Serbi) në kategorinë “Artistic Woman Entrepreneur”, Flandra Marmullaku (Kosovë) si “ICT Woman Entrepreneur”, Aleksandra Simoni (Mali i Zi) si “Young Woman Entrepreneur”, Marija Kukunoska (Maqedonia e Veriut) si “Green Woman Entrepreneur” dhe Željana Vulović (Bosnje dhe Hercegovinë) si “Tourism Woman Entrepreneur”.

Iniciativa Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year, e krijuar nga RCC në vitin 2022, synon të promovojë sipërmarrjen e grave, të rrisë dukshmërinë e historive të tyre të suksesit dhe të inkurajojë një rol më të madh të grave në zhvillimin ekonomik, tranzicionin e gjelbër dhe transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor.

The post Jori Vila shpallet “Social Star Woman Entrepreneur 2026” nga RCC first appeared on Geek Room.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *