Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, vizitoi Komisariatin nr. 3 në Tiranë, ku takoi 12 protestues të shoqëruar gjatë protestës së sotme.
Kapri i bëri thirrje Policisë së Shtetit t’i lirojë menjëherë të gjithë protestuesit, duke e cilësuar të papranueshme mbajtjen e tyre në komisariat.
Sipas Kaprit, mes të shoqëruarve ndodhen edhe një baba me të birin, familja Bardhi, ndërsa aktivisti Arbër Lleshaj pretendon se është dhunuar nga efektivët e policisë gjatë shoqërimit.
“Kemi një baba me një bir, zotin Bardhi konkretisht, të cilët nuk mund të mbahen të dy në qeli. Aktivisti Arbër Lleshaj ka shenja në sy dhe në trup dhe pretendon se është rrahur brenda furgonit të policisë,” deklaroi Kapri.
Ai akuzoi policinë se provokoi protestën me përdorimin e sprajit irritues ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë të shoqëruarve.
“Policia duhet të respektojë protestën paqësore. Kjo është një protestë për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës, ndaj Policia e Shtetit duhet të sillet si polici e shtetit dhe jo si polici politike e Edi Ramës,” u shpreh Kapri.