minuti.al

Index Multi-Burimor i Lajmeve

Saturday, July 25, 2026

Vlorë/ Helika e skafit i preu këmbën, 17-vjeçari dërgohet te Trauma në gjendje të rëndë shëndetësore

Publikuar më: 24 Korrik, 2026 - 08:04

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në det në Vlorë, ku një 17-vjeçar mbeti i plagosur pasi u godit nga helikat e një mjeti lundrues.

Burime bëjnë me dije se i mituri, me inicialet S.Ç., është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar në trup dhe në gjymtyrë.

Fillimisht 17-vjeçari ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku bluzat e bardha kanë arritur të ndalojnë hemorragjinë.

Më pas, për shkak të plagëve të marra dhe nevojës për trajtim më të specializuar, ai është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 16:50, teksa një mjet lundrues me drejtues shtetasin E.I., 32 vjeç, ishte duke lundruar nga Gadishulli i Karaburunit në drejtim të molit në Vlorë.

Sipas hetimeve paraprake, 17-vjeçari, i cili ndodhej pasagjer në mjetin lundrues, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në pjesën e motorit, duke u goditur nga helikat e skafit dhe duke pësuar dëmtime të rënda.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.