minuti.al

Index Multi-Burimor i Lajmeve

Saturday, July 25, 2026

Pas Grudës e Smajlit, një tjetër shkodran zbret sot në fushë në duelet e Conference League

Publikuar më: 23 Korrik, 2026 - 09:29

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas aktivizimit të Ildi Grudës dhe Geralb Smajlit me Egnatian në barazimin 3-3 ndaj Celjes, në turin e dytë kualifikues të Champions League, sot është radha e një tjetër futbollisti shkodran të luajë në kupat e Europës. Bëhet fjalë për Aleksandër Trumçin, mbrojtësin e djathtë që aktivizohet me Shkëndijën e Tetovës.

Skuadra tetovare do të jetë mysafire e Bravos së Sllovenisë, në takimin e parë të turit të dytë kualifikues të Conference League. Shkëndija synon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, për ta pasur më të lehtë ndeshjen e kthimit dhe për të mbajtur të hapur objektivin e kualifikimit.

Trumçi pritet ta nisë sfidën si titullar, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës maqedonase. Mbrojtësi shkodran ka qenë një zgjedhje e rregullt e stafit teknik dhe edhe në këtë përballje pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin defensiv.

Për 25-vjeçarin, kjo do të jetë një tjetër paraqitje në arenën europiane, ndërsa synimi mbetet që së bashku me Shkëndijën të hedhin një hap drejt turit të tretë të Conference League. Në këtë mënyrë, edhe këtë javë futbollistët shkodranë vijojnë të jenë të pranishëm në ndeshjet kualifikuese të kompeticioneve europiane.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

The post Pas Grudës e Smajlit, një tjetër shkodran zbret sot në fushë në duelet e Conference League appeared first on SHKODRA SPORT.