minuti.al

Index Multi-Burimor i Lajmeve

Friday, October 9, 2026

OKB-ja kërkon ndryshimin e hartës së botës, duke i dhënë përmasat reale Afrikës

Publikuar më: 7 Shtator, 2026 - 18:02

Harta e botës që kemi parë për dekada mund të ndryshojë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar një rezolutë për zëvendësimin e hartës tradicionale Mercator me një projeksion që pasqyron më saktë përmasat reale të kontinenteve, veçanërisht të Afrikës.

Rezoluta “Correct the Map”, e sponsorizuar nga Togo dhe e mbështetur nga anëtarët e Bashkimit Afrikan, mori mbështetjen e 164 shteteve, mes tyre Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend që votoi kundër, ndërsa gjashtë shtete abstenuan.

Problemi qëndron te projeksioni Mercator, i krijuar në vitin 1569 nga hartografi flamand Gerardus Mercator. Edhe pse ishte revolucionar për navigimin, ai deformon përmasat e territoreve në varësi të pozicionit të tyre në glob. Kjo bën që vendet pranë poleve të duken shumë më të mëdha, ndërsa zonat pranë ekuatorit paraqiten më të vogla.

Shembulli më i famshëm është Afrika. Në hartën Mercator, ajo mund të duket në përmasa të ngjashme me Grenlandën, ndonëse në realitet kontinenti afrikan është rreth 14 herë më i madh.

Si alternativë propozohet Equal Earth, një projekcion i krijuar në vitin 2018 dhe i miratuar këtë vit nga të 54 shtetet e Bashkimit Afrikan. Ai synon të ruajë më mirë raportet reale të sipërfaqeve të kontinenteve.

Por debati nuk është vetëm teknik. Mbështetësit argumentojnë se mënyra se si paraqitet një territor ndikon edhe në mënyrën se si perceptohet ekonomikisht dhe politikisht. Siç u shpreh ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey: “Një botë e drejtë fillon me një hartë të drejtë.”

Rezoluta e OKB-së nuk është detyruese, por mund të ndikojë në hartat që përdoren nga institucione në mbarë botën.

The post OKB-ja kërkon ndryshimin e hartës së botës, duke i dhënë përmasat reale Afrikës first appeared on Geek Room.