minuti.al

... e reja e cdo minuti!

RRUGËTIMI MUZIKOR I DAFINA BYTYQIT – Një simfoni e pasionit dhe qëndrueshmërisë

 

Mënyra e vetme për ta përshkruar Dafina Bytyqin është se ajo është një prej atyre artisteve që e ka muzikën të ndërthurur në çdo fije të shpirtit të saj. Rrugëtimi i saj muzikor filloi në vitin 2005 me grupin unik ‘7me7`, kur edhe i pushtoi zemrat e publikut shqiptar. Me një zë që përçonte ëndrra dhe emocione, suksesi i saj asokohe arriti deri në skenën e Top Fest 4, një dëshmi kjo e ndikimit të saj të paharrueshëm. Ndonëse, rrugëtimi i saj jetësor e largoi nga muzika drejt studimeve të ekonomisë dhe dizajnit të enterierit, e madje edhe në një karrierë të suksesshme në botën bankare, muzika brenda saj nuk u shua kurrë. Tani, në rolin e nënës së dy vajzave të mrekullueshme (Mjellmës dhe Noas) ajo rikthehet si një shembull i pasionit artistik. Sepse, pas pothuajse shtatëmbëdhjetë viteve larg skenës, Dafina iu është rikthyer rrënjëve të saj muzikore me grupin ‘DUFF ‘N` DUDES`. Rrëfimi i saj është një histori e qëndrueshmërisë, dashurisë, dhe përkushtimit të palëkundur kundrejt artit që e përmbush shpirtin e saj.

 

A mund të na tregoni për rrugëtimin tuaj nga fillimet e para deri tani? Çfarë ka ndryshuar gjatë viteve?

Ndryshimet patjetër që janë të pranishme pasi që po flasim për një rrugëtim rreth shtatëmbëdhjetëvjeçar! Në fillimet e para në karrierën time gjithçka ka qenë më ndryshe, duke filluar nga lloji i muzikës që është dëgjuar e deri te fakti se ka pasur shumë më pak vajza që kanë kënduar versione të “Cover songs” live.

Si ndikuan studimet tuaja për ekonomi dhe dizajn të brendshëm në karrierën tuaj muzikore?

Pasi që isha një vit aktive në performancat e mia sa i përket muzikës live, erdhi koha që t’i filloja studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Në atë periudhë e ndërpreva muzikën me idenë që të mund të angazhohesha sa më mirë në studime! Vitet ecën, fakulteti ekonomik u përfundua, fillova punën në një banke komerciale ku punova shtatë vjet dhe pastaj vendosa të shtoja edhe një profesion tjetër atë të dizajnit të enterierit! Pas kësaj periudhe ndryshuan edhe shumë gjëra të tjera në jetën time, dhe me sa duket i erdhi koha rikthimit në muzikë.

Pas kaq viteve ndërprerje çfarë ju motivoi që të ktheheni në muzikë?

Motivi im më i madh për t’u rikthyer në muzikë ishte ajo që më mbeti p ara shumë vit eve si ëndërr e p a realizuar! Nuk ndjehesha e plotësuar, pa muzikën si duket mbeti një vend i zbrazët në shpirtin tim! E asnjëherë nuk duhet të mos e dëgjojmë brendësinë tonë se çfarë na përmbush ne!

A mund të na tregoni më shumë për përvojën tuaj duke performuar me bandën tuaj të mëparshme “7me7”?

Gjatë viteve 2006/2007, kur unë isha aktive në muzikë, u takova me anëtarët e Rok Grupit 7 Me 7! Ne ishim të gjithë nga Ferizaj dhe kështu e filluam bashkëpunimin! Atë periudhë unë e kam shijuar shumë dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi arrita të bëhesha pjesë e Top Fest 4 në vitin 2007 në Shqipëri me këngën time të parë “Nëse”.

Si e balanconi karrierën tuaj në dizajn të brendshëm me pasionin tuaj për muzikën?

Mendoj që kur e ke vullnetin dhe pasionin për punët që i bën atëherë gjithçka është e menaxhueshme dhe shumë më e lehtë, ashtu si unë që nuk e kam hasur asnjë problem sa i përket këtij kombinimi të profesioneve!

Si ka ndikuar të bëhesh nënë në muzikën dhe vendimet tuaja të karrierës?

Unë titullin ‘Nënë’ e kam marrë në periudhën kur veçse isha tërhequr nga muzika! Në atë periudhë unë i kam lindur dy vajza të mrekullueshme – Mjellma dhe Noa. Kur erdhi koha të rikthehem në muzikë vajzat ishin të rritura aq sa unë ta kisha më të lehtë që t’i rikthehesha pasionit tim.

Si e shihni evolucionin e muzikës tuaj në pesë vitet e ardhshme?

Patjetër me këngë autoriale!

Nëse mund të bëni një duet me ndonjë artist, kush do të ishte dhe pse?

Do të më pëlqente të realizoja një bashkëpunim me të madhin Aleksandër Gjoka! Ai ka qenë ndër më të pëlqyerit e mi që kur isha shumë e vogël!

Cila është performanca më e paharrueshme që e keni pasur ndonjëherë?

Ajo që do të veçoja në përgjigje të kësaj pyetjeje do të ishte një performancë në kampin BONDSTEEL në Ferizaj. Aty e kemi pasur një pritje fantastike dhe emocione të krijuara nga ushtarët me shumë energji dhe disponim të mirë.

Nëse do të dëgjonit vetëm një album për pjesën tjetër të jetës, cili do të ishte?

Shumë albume kanë vlera dhe është vështirë të veçoj një të vetëm. Mirëpo, nëse do të duhej të zgjidhja patjetër mbase do të ishte albumi NEVERMIND i grupit NIRVANA.

Na e trego një fakt argëtues për ju, që fansat tuaj mund të mos e dinë?

Hmmm, argëtues! Të mblidhem me njerëzit e dashur diku në një vend malor, afër një zjarri duke e shijuar natyrën, shoqërinë dhe jetën që e kemi dhuratë!

Nëse mund të kishit ndonjë superfuqi, cila do të ishte dhe pse?

Nuk më duhet superfuqi pasi që të jesh Nënë është ti kesh të gjitha!

Cila është gjëja më e çmendur që ju ka ndodhur gjatë një performance live?

Gjëja më e çmendur apo më e pazakontë ka qenë kur pesë minuta para një performance për shkak të lodhjes nga obligimet e përditshmërisë sime i kam humbur ndjenjat dhe më është dashtë të kthjellem shpejt e shpejt dhe të filloja paraqitjen live sikur të mos kishte ndodhur asgjë!!!

Nëse do të mund të jetonit në cilëndo epokë të historisë së muzikës, cilën do ta zgjedhnit dhe pse?

Mendoj se do ta shijoja epokën e viteve të 70-ta, sepse në atë periudhë janë publikuar këngë aq të bukura të cilat edhe sot e kësaj dite i dëgjoj me shumë ëndje si: Bohemian Rhapsody – Queen, Let it be – The Beatles, Stairway to Heaven – Led Zeppelin, Hotel California – Eagles, etj.

Cili është ‘Cover’-i i preferuar gjatë performancave live?

Në mesin e shumë këngëve ndoshta do të veçoja baladën Creep nga Radiohead.

Cila është kënga juaj e preferuar për karioke?

Për karioke mbase do të zgjidhja këngën ‘One Way or Another’ nga Blondie.

Përshkruani ditën tuaj perfekte të lirë. Çfarë do të bënit?

Një ditë perfekte për mua është të fle pa e vënë alarmin, të zgjohem atëherë kur ndjehem e çlodhur, t’i marr vajzat e mia diku në natyrë dhe të pi kafen e mëngjesit në qetësi. Ky është fillimi i një dite perfekte!

Nëse do të darkonit me tre persona, të gjallë ose të vdekur, kush do të ishin dhe pse?

Hmmm, darkë do të kërkoja të kisha vetëm me një person! Ajo është gjyshja ime, gjyshja Hatixhe e cila ka vite qe është larguar nga kjo botë dhe nevoja për ta pasur afër nuk më largohet asnjëherë pasi që ka qenë dhe mbetet një ndër personat që më ka qëndruar pranë gjithmonë në çdo periudhë të jetës sime.

Cila është mënyra juaj e preferuar për t`u relaksuar pas një dite të gjatë?

Relaksim më të mirë se një trajtim në një spa qendër nuk e besoj që ka!

Nëse mund të udhëtonit kudo në botë tani, ku do të shkonit?

Do të udhëtoja në Japoni, më saktësisht në Kyoto të Japonisë!

Cili është vendi më interesant ose unik ku keni performuar ndonjëherë?

Vendi më interesant ka qenë në fillimet e karrierës sime, ku kam kënduar në një automjet të hapur në lëvizje!

Cila është porosia e juaj për të rinjtë e Kosovës?

Besoni në fuqinë e ëndrrave tuaja dhe forcën brenda zemrave tuaja. Jeta është një rrugëtim përplot me kthesa e ndryshime, por asnjëherë mos hiqni dorë nga pasionet tuaja. Përqafojeni çdo mundësi për të mësuar, për t’u rritur dhe për t’i eksploruar talentet tuaja. Mos harroni, nuk ka asgjë të keqe që të bëni devijime; nganjëherë ato do t’ju çojnë pikërisht aty ku me të vërtetë e keni vendin. Rrethojeni veten me dashuri, dhe energji pozitive, dhe lërini ato që t’ju frymëzojnë për të krijuar dhe sjell risi. Mbi të gjitha, gjithmonë dëgjojini tingujt e shpirtit tuaj, sepse ata do t’ju udhëheqin drejt shtegut tuaj të vërtetë. Me tërë dashurinë dhe besimin në të ardhmen tuaj të ndritur ju përshëndet Dafina Bytyqi.