“UNITAS OMNIA VINCIT”
Me marrjen e rolit të tij të ri si Komandant i misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Enrico BARDUANI sjell jo vetëm ekspertizën e tij ushtarake, por edhe një përkushtim të përzemërt ndaj unitetit dhe paqes. I lindur në Romë, por me origjinë nga një qytezë e vogël në afërsi të kufirit me Slloveninë, rrugëtimi i tij drejt udhëheqjes së KFOR-it është dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj shërbimit. Ky nuk është misioni i tij i parë në Kosovë; ai ka përvojë të gjatë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, gjë që i pasuron edhe më shumë njohuritë e tij për rajonin dhe kompleksitetin e tij. Në këtë intervistë ekskluzive, ai e ndan historinë e tij personale, mendimet e tij për lidershipin, dhe një porosi të fuqishme për rininë e Kosovës. Fjalët e tij e theksojnë rëndësinë e unitetit, respektit dhe të punuarit së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.
4You: A mund të na tregoni pak për prejardhjen tuaj dhe atë se çka ju ka shtyrë drejt një karriere ushtarake?
GjM Barduani: Kam lindur në Romë në vitin 1969, ndonëse familja ime është nga një qytezë e vogël në verilindje të Italisë, afër kufirit me Slloveninë. E kam një vëlla dhe dy motra, dhe unë jam më i vogli i familjes. Babai im ishte një Oficer në Armatë, dhe që nga mosha e hershme, isha i tërhequr nga bota ushtarake. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare vendosa që të bëhesha pjesë e Armatës, andaj u regjistrova në shkollën e mesme të Armatës Italiane, ku i përfundova tri vitet e fundit të shkollimit tim dhe e mora diplomën e shkollës së mesme në studime klasike, me fokus në filozofinë latine dhe atë antike greke, si dhe art. Pas diplomimit aplikova në Akademinë Ushtarake, ku u stërvita për dy vjet dhe u bëra oficer, si dhe diplomova në shkencat politike në vitin 1993.
4You: Si e përkufizoni lidershipin, dhe cilat cilësi besoni se janë thelbësore për lidership efektiv?
GjM Barduani: Udhëheqja duke dhënë shembull dhe dëgjimi aktiv i personelit tënd janë cilësi thelbësore për një lider, posaçërisht për një komandant ushtarak. Udhëheqja duke dhënë shembull do të thotë se ti je në vijën e parë duke i treguar personelit tënd se ti je i pari që e bën atë që e kërkon nga ata. Të dëgjuarit e personelit tënd e dëshmon aftësinë tënde për t’i çmuar shkathtësitë e tyre dhe për t’ua caktuar detyrat në mënyrë efektive për të mirën e përbashkët.
4You: Si e baraspeshoni jetën personale me kërkesat e rolit tuaj si një komandant ushtarak?
GjM Barduani: Mbase në këtë pyetje do të përgjigjej më mirë familja ime, pasi që ata janë në pozitën më të mirë për të gjykuar aftësinë time për të baraspeshuar përgjegjësitë e mia personale me ato profesionale. Unë mund të them, pa asnjë dyshim, se një karrierë ushtarake kërkon sakrifica kur ajo ndiqet me përkushtim dhe përgjegjësi. Kur shoh mbrapa, e kuptoj se kam munguar në momente të rëndësishme familjare, por nuk e shoh këtë si një barrë; unë e kam zgjedhur këtë shteg të shërbimit ndaj atdheut tim, dhe i jam mirënjohës gruas sime, e cila e ka kuptuar dhe gjithmonë e ka mbështetur këtë zgjedhje timen.
4You: A e keni një model apo mentor që ju ka udhëhequr në karrierën apo jetën tuaj personale?
GjM Barduani: Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë modeli im. Ata kurrë nuk më kanë bërë presion që t’i ndjek hapat e tyre, por gjithmonë më kanë ofruar këshilla të çmueshme. Veprimet e përditshme, etika, dhe vlerat e tyre më kanë frymëzuar që të mundohem të bëhem po aq i mirë sa ç’ ishin edhe ata.
4You: Si e menaxhoni stresin dhe si e mbani baraspeshën e shëndetshme mes punës dhe jetës së përditshme?
GjM Barduani: Unë i kam dy strategji për menaxhimin e stresit. Së pari, vrapoj së paku tri herë në javë, gjë që më ndihmon që të shkëputem dhe të rifreskohem; por çlirimi im i vërtetë nga stresi vjen duke kaluar kohë me tre bulldogët e mi francez Erwin, Edel dhe Eric. Ata më mungojnë shumë, posaçërisht pasi ime shoqe më dërgoi rishtas një video të tyre duke më pritur çdo mbrëmje te dera e oborrit pas shtëpisë. Do të jetë një sfidë të jem larg tyre gjatë kohës sime në Kosovë.
4You: Çfarë këshille keni për të rinjtë që kërkojnë të kenë një ndikim pozitiv në botë?
GjM Barduani: Qëndroni gjithmonë besnik, shmangni veprime të motivuara vetëm nga përfitimi personal në dëm të të tjerëve, dhe mos keni frikë të jepni mendimet tuaja. Bashkë me respektin për të tjerët, këto cilësi janë çelësi për të pasur ndikim domethënës dhe për të përmirësuar shoqërinë.
4You: A mund të ndani një copëz diturie sipas së cilës ju jetoni dhe që do të kishit dëshirë t’ua kalonit lexuesve tanë?
GjM Barduani: Im Atë më ka mësuar që të jem i sjellshëm, por i vendosur në çdo veprim, dhe që të mos kem frikë nga gabimet. Kur e bëni një gabim, gjëja e rëndësishme është që të mësoni nga ai dhe që t ë ecni përpara me vendosmëri edhe më të madhe.
4You: Çka mund të bëjë rinia e Kosovës për të kontribuar në krijimin e një të ardhmeje paqësore dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë?
GjM Barduani: Të rinjtë kanë potencial të jashtëzakonshëm sepse ata janë të lirë nga shumë ngarkesa shoqërore. Unë i ftoj të rinjtë që të promovojnë një qasje të re shoqërore, dhe që të lënë prapa urrejtjen dhe mëritë që kanë të bëjnë me të kaluarën e vështirë të kësaj ane tejet të bukur. Mëkatet e të parëve nuk duhet të kalojnë në shpatullat e fëmijëve të tyre.
4You: Çfarë këshilla ua përsëritni vazhdimisht fëmijëve?
GjM Barduani: Gjithmonë u them që të tregojnë respekt për të tjerët në çdo situatë, edhe kur kanë mendime apo besime të ndryshme. Respekti dhe sjellja e mirë janë thelbësore për t’u rritur në individ të përgjegjshëm, të cilët mund të kenë ndikim pozitiv në shoqëri.
4You: Cila është muzika apo kënga më e dashur të cilën e dëgjoni me më shumë dëshirë?
GjM Barduani: Jam adhurues i grupit Beatles, dhe më duhet ta pranoj që e kam mësuar anglishten duke i dëgjuar këngët e tyre. Më pëlqen edhe Eric Clapton (prandaj, ia kam vënë emrin Eric edhe qenit tim) dhe Sting, posaçërisht puna e këtij të fundit me grupin “The Police”. Më pëlqen ta dëgjoj edhe grupin Coldplay si dhe Lady Gaga, dhe kur e vozis makinën, zakonisht qetësohem duke dëgjuar muzikë pop.
4You: Cili libër ju pëlqen më shumë, dhe si ka ndikuar ai në jetën tuaj?
GjM Barduani: E kam lexuar librin “Emri i Trëndafilit” nga Umberto Eco – profesor dhe autor italian – në moshën dymbëdhjetëvjeçare dhe u dashurova në atë libër. Ky libër e nxiti interesimin për romanet me mistere dhe ato historike si dhe ndikoi në vendimin tim për të vijuar studimet klasike.
4You: Cili zhanër i filmave ju pëlqen dhe kush është aktori/ja juaj e preferuar?
GjM Barduani: Jam adhurues i flaktë i filmave triler, gjë që shpesh shkakton debate me gruan time, e cila i adhuron komeditë romantike. Rrallëherë jemi të një mendje kur bëhet fjalë për filmat! Disa prej aktorëve të mi të preferuar janë Pierce Brosnan (që ishte i jashtëzakonshëm si James Bond), Clint Eastwood dhe Will Smith, pastaj më pëlqejnë edhe performancat e fuqishme të Jodie Foster, Anne Hathaway, dhe Renée Zellweger. Në peizazhin e kinemasë klasike italiane, unë i konsideroj Sophia Loren dhe Marcello Mastroianni si ikona të vërteta për shumanshmërinë e tyre.
4You: Cili sport ju pëlqen më shumë dhe kush është sportisti/ja juaj i/e preferuar?
GjM Barduani: I vlerësoj sportet ekipore, pasi që ato kërkojnë nga individët që t’i përdorin aftësitë e tyre në shërbim të tërë ekipit. Një prej sporteve që më pëlqen më shumë është futbolli dhe jam tifoz i Romës, ekipit të qytetit tim. E adhuroj Francesco Totti, i cili i qëndroi besnik Romës përkundër ofertave të majme të panumërta, posaçërisht nga Real Madrid. Në sportet individuale, më frymëzon skitarja italiane Sofia Goggia për qëndrueshmërinë e saj në tejkalimin e lëndimeve dhe rikthimit te fitoret.
4You: Cili është ushqimi i juaj i preferuar?
GjM Barduani: Hë pra, të pyesësh një italian/e për ushqimin e tij/saj të preferuar është pothuajse e pamundur! Pastat, picat dhe espresot janë në ADN-në tonë! Më pëlqen edhe gatimi – është një prej mënyrave më të mira për të larguar stresin, ju siguroj – dhe jam goxha i zoti në gatimin e pastave, posaçërisht specialitetin tradicional të Romës “carbonara”.
4You: Cila është porosia e juaj për të rinjtë e sotëm dhe potencialin e tyre dhe botën që po e trashëgojnë?
GjM Barduani: Nuk kam mësime të jashtëzakonshme për t’ua kaluar, dhe as nuk jam aq arrogant që të besoj se i kam të gjitha përgjigjet. Sidoqoftë, nga përvoja ime, mund të them se çdo person, madje edhe ata që mund të duken të parëndësishëm, e kanë fuqinë për të ndryshuar. Mirëpo, për të pasur ndikim të mirëfilltë, ne duhet të punojmë ngushtë dhe në harmoni me të tjerët. Për fat të keq, jetojmë në kohë sfiduese, ku peizazhi i sigurisë ndërkombëtare po përkeqësohet shumë shpejt, dhe ekziston rreziku që t’ua lëmë një botë më të keqe gjeneratave të ardhshme. Moto e mandatit tim është “Unitas omnia vincit,” që do të thotë “Uniteti i njerëzve fiton mbi të gjitha.” Porosia ime për të rinjtë është që të tregohen më të mençur se gjeneratat e shkuara, që t’i lënë anash rivalitetet dhe paragjykimet, dhe të bashkohen me përpjekjet kolektive për ta bërë botën një vend më të mirë.