minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Ukraina sulmon me një flotë dronësh në territorin rus

Ukraina goditi thellë të shtunën në territorin rus, me një flotë dronësh që vunë në shënjestër qytetin e Kazanit, rreth 1 mijë kilometra nga vijat e frontit.

Autoritetet lokale raportuan se të paktën 8 dronë goditën qytetin, duke dëmtuar godina të banuara dhe disa impiante industriale, por pa shkaktuar viktima.

Një video e verifikuar nga “Associated Press” dhe e postuar në kanalin “Astra” të rrjetit “Telegram” tregonte një avion të telekomanduar që përplasej me katet e larta të një godine.

Pas sulmit, fluturimet në aeroportin e Kazanit dhe të gjitha grumbullimet e planifikuara për të shtunën dhe të dielën u anuluan.

Ukraina nuk ka marrë zyrtarisht përsipër përgjegjësinë për sulmin, që përkon me politikën e saj të ruajtjes së sekretit.

Sulmi erdhi pas një tjetër goditjeje që trupat ukrainase bënë me raketa amerikane ndaj rajonit të Kurskut, ku 6 persona humbën jetën.