Qeveria Kurti shpërblen fëmijët dhe pensionistët për festat e fundvitit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të ndajnë nga 100 për fëmijët deri në 16 vjeç dhe për pensionistët në Kosovë.
“Të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë do t’i përfitoni nga 100 euro secili”, ka deklaruar kreu i qeverisë së Kosovës.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e tij të Financave, Hekuran Murati, Kurti u shpreh: “Sikurse tashmë e kemi bërë traditë po ndahet mbështetje shtesë e menjëhershme nga 100 euro për të gjithë pensionistët”.
Ndërkohë ministri Murati nuk tregoi se kur do të mund ta marrin saktësisht këtë pagesë pensionistët dhe fëmijët, por tha se gjatë javës së ardhmes do të punohet për këtë.
Ai shtoi se pensionistët dhe fëmijët nuk kanë nevojë të aplikojnë për shtesën për fundvit, pasi ata janë tashmë të regjistruar në sistem.
Qeveria e Kosovës nxori një skemë në vitin 2021 për t’i paguar fëmijët nën moshën 16-vjeçare në baza mujore fillimisht me nga 10 euro dhe 20 euro në muaj për fëmijë.
Kurti paraqiti një skemë të re për pagesat për fëmijë në gusht të këtij viti me një rritje të vogël.
Sipas skemës së re, fëmija i parë dhe i dytë në familje paguhet nga 20€ në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, secili prej tre fëmijëve paguhet nga 30 euro.
Nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400.000 fëmijë, sipas Qeverisë. Kosto vjetore e skemës së re parashihet të jetë 120 milionë euro.