minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Votimi nga jashtë – KSHZ takim me Këshillin Koordinues të Diasporës

publikuar nga KQZ, ne #KQZ. ora 15:19


Sot, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u zhvillua një takim pune me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar mbi ecurinë e përgatitjeve për votimin nga jashtë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi shprehu mirënjohjen për angazhimin, bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e dhënë nga përfaqësuesit e Diasporës për votimin nga jashtë.

KSHZ i njohu me përgatitjet dhe masat e marra për mirëorganizimin dhe mirëadministrimin e procesit të votimit të diasporës për zgjedhjet për Kuvend:

Aktet rregullatore të miratuara; Strategjinë e edukimit të zgjedhësve nga jashtë; Ndërtimi i Platformës Elektronike të Regjistrimit, siguritë dhe garancitë që do të ofrojë PER; Afatet zgjedhore për zgjedhësit nga jashtë;

Gjatë bashkëbisedimit, u dakordësua koordinimi mes KQZ-së dhe Këshillit Koordinues të Diasporës me qëllim zhvillimin e një fushate intensive informimi dhe edukimi sa i përket regjistrimit të votuesve nga jashtë, për të votuar për zgjedhjet për Kuvend.

Takimi u zhvillua në kuadër të javës së diasporës, dhe aktiviteteve të organizuara nga Këshilli Koordinues i Diasporës, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.