Mirash Martinoviq: Dy takime me Kadarenë
publikuar nga ExLibris, ne #ExLibris. ora 17:21
Përktheu nga malazezishtja: Qazim Muja
E kam mbartur gjatë, gati njëzetenjë vjet, atë ditën e një gushtit të vitit 2004, kur në Ulqin takova Ismail Kadarenë, i cili erdhi për të hapur Panairin e Librit, një manifestim tradicional që për çdo vit fillon në këtë ditë në këtë qytet. Para se ta kujtoj atë ditë dhe atë takim, dua të them se Kadarenë e kam parë për herë të parë, por vetëm parë, në vitet shtatëdhjetë e ca, kur erdhi në Kosovë dhe në Pallatin e Shtypit të Prishtinës pati takim me gazetarët, në mesin e të cilëve isha edhe unë, një gazetar fillestar në gazetën Jedinstvo (Bashkimi).
Në atë kohë, vizita e Kadaresë në Prishtinë ishte një ngjarje e klasës së parë. Të dukej se prania e tij ndihej në çdo person dhe në gjithë qytetin. Sidomos në mesin e shkrimtarëve dhe intelektualëve të asaj kohe.
Romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përkthim i Esad Mekilit ndërsa botuar nga Bagdala e Krushevcit, e kam lexuar si i ri, e më vonë edhe dy apo tre herë, botimin e Sarajevës dhe të Beogradit. Çdo lexim i këtij romani me famë botërore më la përshtypje të jashtëzakonshme, të cilin Kadare i ri e shkroi në moshën njëzetegjashtë vjeçare, dhe që u përkthye në pothuajse dyzet gjuhë në vitet dhe dekadat e mëvonshme. Ky do t’i sjellë atij edhe famën botërore.
Dhe tani le t’i kthehem takimit të Ulqinit dhe asaj dite vere. Isha dukshëm i emocionuar. Ekzistojnë emocione që është e pamundur t’i definosh: Takimi me Kadarenë mbartte një emocion të tillë. Dhe ky takim sigurisht nuk do të realizohej kurrë po të mos ishte Branka Bogavac, e cila ishte e afërt me Kadarenë, një mikeshë, që e ka përshkruar në librat dhe intervistat e saj që kishte bërë me të. Erdha në Budvë, ku ndodhej Branka, ajo zakonisht i kalon pushimet në atë qytet, ndaj u nisëm drejt Ulqinit, ku tashmë kishte mbërritur Kadare. E vizituam në apartamentin e tij në katin e fundit të hotelit Albatros, ishte me bashkëshorten e tij Elenën. Meqenëse këtë kujtim po e shkruaj gati njëzet vjet më vonë, nuk i mbaj mend të gjitha detajet. Mbaj mend kur mbërritëm në recepsionin e hotelit dhe kur Branka i tha recepsionistit se donte të vizitonte Kadarenë, recepsionisti e pyeti se kush ishte ajo, dhe e njoftoi Kadarenë, kështu që gjithçka u sqarua menjëherë, dhe shumë shpejt arritëm para shkrimtarit me famë.
Të nesërmen u organizua një udhëtim për në Ada në Bunë, pata rastin të bisedoj me Kadarenë, dhe kur më pyeti se çfarë punoj, i thashë se në librat e mi merrem me temat antike dhe me peizazhet e harruara të vendit tim, me ëndrrat dhe me fatet e atyre që dikur jetuan në të, gjë që për ta ishte veçanërisht interesante, dhe pastaj se kam shkruar dhe botuar romanin Dita e fundit e Eskilit. E theksova këtë, duke e ditur se Eskili ishte i afërt edhe për ta, dhe se kishte shkruar një libër me ese për tragjikun e famshëm grek.
E pranoj, dita në Adë për mua sot është një kujtim i turbullt. Kishte një shoqëri të gjerë. Kujtesa nuk është gjithmonë një dëshmitar i besueshëm, por aty janë fotografitë që Branka i kishte bërë. E zellshme si gjithmonë në regjistrimin e të gjitha ngjarjeve, me të njëjtën thënie: do të jetë kjo e rëndësishme një ditë. Atëherë ajo më bëri një foto me Kadarenë, e cila është edhe e çmuar edhe e dashur për mua. Me kërkesën time, ajo arriti ta gjente dhe ma dërgoi së fundmi, kur u interesova për të, duke mos e ditur se do të shkruaja këtë tekst, i cili do të jetë në fund të librit tim Pisano u vremenu (Shkruar në kohë): tekstet, esetë, shënimet, përshtypjet e mia, të grumbulluara në gati tre dekada dhe kryesisht të botuara në suplementin ART të së përditshmes Vijesti. Libri hapet me një tekst për Llalliqin dhe kujtimet për këtë shkrimtar, dhe jo rastësisht, e mbyll Kadare me këtë shkrim. Kështu ishte menduar dhe kështu duhej të ishte. Ndonjëherë përpara nesh ecën diçka për të cilën nuk jemi vërtet të vetëdijshëm në momentin që fillojmë të mendojmë. Vjen ajo që nevojitet gjithmonë dhe pashmangshëm. Kështu, edhe ky kujtim edhe ky tekst erdhën në kohën e duhur.

Herën e dytë e takova Kadarenë në Podgoricë kur u promovua romani i tij i ri Pad kamenog grada (Rënia e qytetit të gurtë – Darka e gabuar) në sallën e madhe dhe të stërmbushur me njerëz në QIK, ku u bë promovimi. Romani u botua nga Sibila sh.p.k. Libraria Karver dhe OJQ Prostory, bisedën me Kadarenë e udhëhoqi regjisori i famshëm sarajevas Dino Mustafiq. Ishte një mbrëmje e paharrueshme, për t’u mbajtur mend. I pranishëm ishte Bujar Hudhri, drejtor i shtëpisë botuese Onufri, botues i autorizuar i Kadaresë në Tiranë, i cili ishte ndërlidhësi i kësaj ngjarjeje.
Jo shumë kohë pas takimit të Podgoricës me Kadarenë dhe pas atij të Ulqinit ku folëm për Eskilin, Bujari më kërkoi të bëja një përmbledhje të romaneve të mia, gjë që e bëra, ndërsa Smajl Smaka, i cili së bashku me Varja Gjukiq përktheu romanin Rënia e qytetit të gurtë, i përktheu dhe ia ktheu Bujarit, mora ofertën në të cilën shprehej dëshira që Onufri të botojë pikërisht këtë roman. Mendova, ndonëse nuk kam asnjë vërtetim të prekshëm, që Kadare ka pasur ndikim në këtë, nëse jo për ndonjë shkak tjetër atëherë për shkak të Eskilit dhe bisedave që patëm bërë për të, kështu që në Tiranë nga kjo shtëpi botuese në vitin 2015 u botua romani me titullin Dita e funit e Eskilit, përkthyer nga Qazim Muja.
Diku në tetor, në kohën e qëndrimit të Kadaresë në Podgoricë, bëra një intervistë të gjerë dhe e botova në suplementin Agora të Pobjedës, të cilin me sukses e redaktonte Vera Gavrilloviq. Duke e lexuar intervistën nga një distancë prej pesëmbëdhjetë vjetësh, vetëm tani e kuptoj rëndësinë e saj. Atëherë Kadaresë i pata bërë disa pyetje interesante për të cilat mora përgjigje të gjera dhe interesante. E pyeta përsëri për Eskilin dhe syrgjynosja e tij, për marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, për marrëdhëniet e popujve në Ballkan, për pikëpamjen e tij për Malin e Zi para ardhjes së tij këtu dhe promovimin që pasoi. Ai më tha për Eskilin se nuk ishte përndjekur nga autoritetet zyrtare shtetërore, por se kishte ardhur deri te një zemërim dhe keqkuptim për shkak të teatrit dhe shfaqjes së dramave të tij, dhe se si ai personalisht, Kadare, dikur ndoqi rrugën e mërgimit të Ovidit nëpër Rumani. Folëm për letrën e Bullgakovit drejtuar Stalinit, për marrëdhënien shkrimtar-diktator. Ndër të tjera më tha: “Jam nga i njëjti qytet me Enver Hoxhën, madje edhe nga e njëjta mëhallë. Për shumë njerëz, veçanërisht për të huajt, kjo merret si një rrethanë e favorshme. Por kjo rrethanë mund të kthehej në të kundërtën, me efekt negativ. Një herë, në pyetjen e një gazetari, nëse shtëpia ime në Gjirokastër ndodhej afër rrugicës ku ishte shtëpia e Enver Hoxhës, iu përgjigja (dhe ishte një gazetar suedez!) që të shkonte të fotografonte rrugicën dhe të jepte në shtyp një legjendë që do të ishte një shpjegim se në atë rrugicë, që quhet Rruga e të Marrëve, kishin shtëpitë e tyre dy figurat më të njohura në Shqipëri.
Në konstatimin tim – pyetjes a do të ishte shkruar Pallati i ëndrrave dhe veprat e tij të tjera madhështore nëse ai nuk do të kishte jetuar në një vend të privuar nga liritë, Kadare u përgjigj: “Ka një mendim sipas të cilit është mirë që shkrimtari ta njohë ferrin, duke e shkelur atë për së gjati dhe për së gjeri, kështu do të shkruante më mirë (siç ka thënë një nga poetët tanë i viteve të tridhjeta!). Një mendim tjetër është i kundërt dhe thotë: Nuk ka nevojë të hapim një burg, apo një fatkeqësi për shkrimtarët, që ai të krijojë vepra interesante. Mendoj se nuk ka model për këtë. Në një rast kam shprehur mendimin se për letërsinë nuk janë të mira as fatkeqësitë e mëdha dhe as lumturia e madhe”.
Më tha se e vlerësonte shumë Ernesto Sabaton dhe se kishte mendimin më të mirë për të. Me shumë respekt më foli për Danillo Kish: “Në vitin 1984, gjatë një forumi të shkrimtarëve në Athinë, pata fatin të takohesha dhe të bisedoja gjatë me Danillo Kish. Një nga gjërat që më pati shpjeguar ishte edhe ajo se nëna e tij ishte malazeze. Dhe menjëherë pas kësaj ai shtoi se nëna e tij i kishte thënë diçka të mirë për shqiptarët, por ai ishte i vogël në atë kohë dhe nuk e kuptonte fare pse, pikërisht në kohën e ashpërsimit të raporteve jugosllavo-shqiptare, pikërisht në kohën e përshkallëzimit, nëna e tij mendonte kështu”.
Ndërsa për marrëdhëniet në Ballkan në atë kohë pat thënë, dhe ky ishte viti 2011: “Pavarësisht nga dramat që kanë ndodhur, unë besoj në pajtimin ndërballkanik. Ballkanasit kanë përjetuar komplikime të mëdha. Ata do të jenë në gjendje ta durojnë misionin, ndoshta më të madhin nga të gjithë, që historia vendos përpara tyre: paqen mes tyre. Por misionet serioze nuk janë si puna e vodvilit. Ato kërkojnë seriozitet. Dhe serioziteti, në këtë rast, ka të bëjë me të vërtetat e mëdha nga të cilat nuk duhet të kemi frikë. Ne jemi njerëz të artit.”
Më tej, në të njëjtën pyetje, ai përgjigjet: “Realitetin e botës nuk e përbëjnë mizoria dhe krimet – por ndarja nga ato”. Dhe ndarja nga ato do të thotë të dëbosh mjegullën, të nxjerrësh të vërtetën jashtë dhe përtej saj – të lehtësosh vetëdijen përmes pendimit, të kërkosh falje dhe, në fund, pajtimi. Ju jeni një popull që i përket familjes sllave, ne përkundrazi jemi një popull i vetmuar. Familja zakonisht i pasuron popujt, por edhe vetmia, në popuj të ndryshëm u bën të njëjtën gjë. Prandaj dhe është diçka dyfish e bukur kur kombet janë – fqinjë të mirë.”
Me të njëjtin rast e pyeta Kadarenë: përse vendosi që nga korpusi i tij i gjerë dhe i larmishëm letrar të zgjidhte romanin Rënia e qytetit të gurtë (Darka e gabuar) për ta botuar në Mal të Zi, në të cilën m’u përgjigj: “T’u them të drejtën, e dhashë pëlqimin pa u menduar shumë. Thjesht, ashtu më dukej: lexuesit shqiptar i pëlqeu ky libër, mendova, do t’i pëlqejë edhe lexuesit malazez. Të them edhe disa fjalë që duket sikur i kam mësuar këtu. Afërsinë e dy popujve, letërsinë që rrit afërsinë e tyre, besoj se nuk kam nevojë veçanërisht t’i potencoj. Mirëpo, kur më kërkuan të bëja një zgjedhje për botimin e njërit prej librave të mi në Mal të Zi, sinqerisht doja të zgjidhja më të mirin, siç bëhet kjo për lexuesit të cilët i vlerëson, i respekton dhe i ndjen veçanërisht të afërt, kështu që në këtë rast këtë e bëra pa hezitim”.
Ismail Kadare është një shkrimtar i rangut dhe famës botërore, i cili me veprën e tij të përgjithshme meriton epitetin b o t ë r o r. Komiteti i Nobelit duket se, në historinë e tij të gjatë, nuk ka bërë gabime, ose e ka bërë këtë në një numër të vogël rastesh. Në këtë rast, po, nuk ia dha çmimin Nobel atij që e meritoi me të gjitha. Vepra e Kadaresë do të jetojë sa të ekzistojë njerëzimi dhe njeriu. Çdo libër i tij i veçantë, është një metaforë e humanizmit. Së bashku, ata janë metaforë që mbron njerëzimin!
Gjenerali i ushtrisë së vdekur është njëri nga romanet më të mëdhenj të letërsisë botërore.
3 mars 2025