minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Ramush Haradinaj: Albin Kurti nuk i ka numrat, nuk e bën dot qeverinë

publikuar nga E S, ne #JavaNews. ora 21:43


Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi i ka quajtur spekulime raportimet në media se tre deputetët e tyre do të votojnë pro formimit të qeverisë Kurti por pa u përfshirë në koalicion qeverisës.

Në një përgjigje për Kosova Press, Krasniqi tha se për momentin “s’ka asnjë lëvizje” dhe se Nisma mbetet ende në deklarimet e mëhershme të kryetarit Fatmir Limaj.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Limaj në daljen e tij të vetme publike ka refuzuar të vendosë “vija të kuqe” për Lëvizjen Vetëvendosje në ndërtimin e qeverisë së re, duke deklaruar se është i hapur për diskutime për çështje me rëndësi nacionale.

Megjithatë, kreu i Nismës Socialdemokrate, është takuar edhe me liderët e partive opozitare për mundësitë e formimit të qeverisë nga PDK, LDK dhe AAK-Nisma.

“Ne jemi në deklarimet e zotit Limaj, s’kemi asnjë lëvizje për momentin. Këto raportimet janë spekulime”, tha Krasniqi.

Nisma Socialdemokrate do të ketë tre deputetë në Kuvendin e Kosovës pasi garoi në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës(AAK). Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj është shprehur kategorik kundër një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Në një prononcim këtë të hënë, Haradinaj tha se nuk beson se mund të formohet Qeveria Kurti 3.Madje sipas tij, askush nga opozita nuk do të bashkëpunoje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne jemi përcaktuar si Aleancë për koalicion të opozitës, qeveri të opozitës, nuk besoj se dikush nga opozita do të bashkëpunojë me pozitën. Po ashtu edhe NISMA është e përcaktuar për koalicion të opozitës. Nuk besoj se do e formojë Kurti Qeverinë, nuk i kanë numrat po vonohen ashtu. Nuk mund të bëjnë, sepse nuk i kanë numrat, kanë dhjetë deputetë më pak se herën tjetër”, tha Haradinaj.

KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare të enjten më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja renditet e dyta me 24 vende në parlament, LDK-ja ka 20 të tilla ndërsa AAK-Nisma 8 ulëse. Minoritetet jo serbe kanë 10 deputetë, lista serbe ka 9 ndërsa një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq.