Rezoluta e IDC-CDI, Berisha: Zgjedhjet e 11 majit u dënuan botërisht, janë farsë
publikuar nga E S, ne #JavaNews. ora 15:20
Me rezolutën e Internacionales Demokrate të Qendrës në duar, Sali Berisha doli edhe këtë të shtunë para mediave për të denoncuar atë që e quan farsë elektorale.
Lideri demokrat pohoi se 108 parti të qendrës së djathtë të mbledhura në Bregun e Fildishtë miratuan rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike dhe kanë cilësuar zgjedhjet e 11 majit si farsë.
“Miratoi me unanimitet të plotë, pa asnjë kundërshtim, rezolutën për farsën elektorale të 11 Majit në Shqipëri. Në këtë rezolutë, Internacionalja Demokrate e Qendrës denoncon botërisht atë që ndodhi me një 11 Maj në farsën e vendit tonë”.
Teksa lexoi tekstin e kësaj rezolute, Berisha u shpreh se në këtë forum botëror kanë gjetur mbështetje të plotë kërkesat e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
“Zhurmë për asgjë…”
Këtë koment pati teksa u pyet për rrëzimin e kërkesave nga ana e KAS të disa kandidatëve të Partisë Demokratike për rinumërim të votave. Sipas tij kandidatët për deputetë kanë ndjekur rrugën e gabuar për të kërkuar të drejtën e tyre, pasi kuadri ligjor në fuqi ia jep të drejtën partitë që të investohet për të gjithë përfaqësuesit e saj.
“Në qoftë se partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, e para kërkesë që shqyrtohet është paligjshmëria. Pas kësaj, partia merr dhe paraqet një nga një kërkesat e kandidatëve. Disa kandidatë që kanë kërkuar rinumërim i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për X qark dhe pastaj do paraqiten ankesat e tyre”.
Në këtë mënyrë thotë Berisha, duhet të vepronin dhe Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdamataj, dhe Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja, ku duhet të prisnin ankimimet e partisë e më pas të shprehnin pakënaqësitë për rezultatin vetjak.
“Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së. Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre”.
Berisha u pyet edhe për deklaratën e Ilir Metës nga qelia, ku ka pohuar se në zgjedhjet e 2027 do të garojë më vete. Sipas kreut të PD koalicioni me Partinë e Lirisë ishte për këto zgjedhje, duke pranuar se aleanca me Metën mund të prishet.