minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Të gjithë sytë nga “Allianz Arena”/ Finalja e madhe Paris SG-Inter, në 21:00

publikuar nga Nijazi Mema, ne #ABC News. ora 16:23


GJERMANI- Atmosfera është e shkëlqyer. Dita e madhe erdhi dhe sonte do të mësohet kampionia e re e Europës në futboll për meshkuj. Paris SG dhe Interi ndodhen që prej të premtes në Mynih, aty ku janë me dhjetëra mijë tifozë, ndoshta nga 40 000 të secilës skuadër.

Nën arbitrimin e hungarezit, Ishtvan Kovaç, pritet të luhet një ndeshje e madhe futbolli, ndonëse filozofia e dy ekipeve është e ndryshme. PSG është sinonim I spektaklit, siç e tregoi ndaj Liverpulit apo Arsenalit. Për fat, trajneri Luis Enrike ka thuajse të gjithë arsenalin e tij në dispozicion.

Dyshimi I vetëm është ai I mbrojtësit Kimpembe që ka dëmtim, ndërsa dyshja e sulmit Dembele-Kvarackelia nuk pritet të mungojë. Tekniku spanjoll tregohet I qetë.

“Mendoj se jemi një ekip që jemi mësuar relativisht për të luajtur finale. I kemi përballuar më parë këto gjëra. Natyrisht, aspekti emocional, aspekti mental është shumë I rëndësishëm dhe mendoj se në këtë drejtim jemi të përgatitur. Nuk ka nevojë të ndryshojmë filozofinë tonë, sepse filozofia e futbollit është e njëjtë. Jemi mësuar të luajmë me ekipe franceze, angleze, dhe tani me Interin, një ekip italian, dhe ne e dimë pasionin dhe vendosmërinë me të cilën luajnë italianët. Gjithçka do të varet nga mënyra sesi do të shkojë ndeshja. Mendoj se e kemi kapacitetin për t’ia dalë”.

Interi, gjithashtu, ka gati shumicën e yjeve, përfshi edhe kapitenin Lautaro Martinez, sulmuesin tjetër Turam, apo liderin e mesfushës, Çalhanoglu.

Dyshime ka për Bisekun, Zielinskin dhe Pavarin.

Trajneri Simone Inzagi ka shansin e fundit për të fituar një trofe këtë sezon, ndërsa u mendua se do të ishin tre. Seria A dhe Kupa e Italisë mbetën iluzion, dhe presioni në Champions është I madh, ashtu si edhe paqartësia për të ardhmen e Inzagit.

“Përsa I përket të ardhmes për të përgjigjem ty, që të jetë e qartë për të gjithë, dhe të mos më pyesni më për këtë temë. Unë jam shumë I qetë, dhe jam shumë I lumtur tek Interi. Mund të them vetëm se sot ndjejmë një emocion shumë të madh, ashtu si çdo herë kur ka ndeshje të Championsit. Është një finale, të cilën ne e kemi merituar plotësisht. Kemi treguar një dëshirë të madhe që nga ndeshja e parë deri tek e fundit. Kemi luajtur ndaj Sitit, Arsenalit, Leverkusenit, Lajpcigut, Bajernit, Barcelonës. Na mbetet hapi I fundit, dhe do të përpiqemi që t’ia dalim”.

Plot 5 400 forca policie dhe të sigurisë do të jenë të angazhuara në Paris, ndonëse finalja luhet në Mynih. Shqetësimet e autoriteteve franceze janë të mëdha, që nga dhuna e ultrasve, e deri tek akte të mundshme terroriste. Mynihu gjithashtu do të jetë I blinduar, por shpresa është që finalja të jetë thjesht spektakël futbolli/abcnews.al