Mitaj fiton Kupën saudite/ Mbrojtësi kuqezi merr trofeun e dytë sezonal në Arabi
publikuar nga Nijazi Mema, ne #ABC News. ora 16:46
ARABI SAUDITE- Nuk paska një pa dy. Mario Mitajt iu shpërblyen gjithë ato sakrifica për shkak të dëmtimeve të këtij viti, dhe ia ku mori edhe një tjetër trofe.
Mbrojtësi I kombëtares shqiptare fitoi Kupën e Arabisë Saudite, pas një finaleje që Al Itihad e fitoi ndaj rivalit, Al Kadisija. Ky sukses ishte I dyti brenda pak ditëve, pasi më herët u mor titulli kampion.
Si përherë, futbollisti shqiptar ishte titullar në një finale që ishte deri diku e fortë, por fituesi I së cilës nuk është se u vu shumë në dyshim.
Karim Benzema ishte heroi kryesorë, pasi ylli I dikurshëm i Francës dhe Realit, shënoi dy gola. Obamejang shkurtoi shifrat përkohësisht në 1-2, veçse Al Itihad siguroi gjithçka me rrjetën e minutës së 81-të nga Husem Auar.
Mitaj luajti deri në fund, duke qenë si gjithmonë nga më të mirët dhe më të sigurtit në fushë. Kështu, ai mbyll me triumf të plotë sezonin e tij të parë në Arabinë Saudite, fiton dy trofetë kryesorë, dhe ndodhet në formën më të mirë të mundshme para ndeshjeve të kombëtares ndaj Serbisë dhe Letonisë në eliminatoret e Kupës së Botës./abcnews.al