Anatomia e një urrejtësi
publikuar nga S T, ne #JavaNews. ora 19:24
Nga Mero Baze
Ilir Rusmali është caktuar si “armik në dispozicion” i Partisë Demokratike. Në zbrazëtinë e fakteve që e rrethojnë për të ashtuquajturin manipulim të zgjedhjeve, Sali Berishës i duhet me doemos një njeri që ta bëjë objekt të sulmeve dhe t’u shpjegojë trushpëlarëve të vet se shkaku i humbjes së betejës për të “faktuar” manipulimin është ai. Dhe ka zgjedhur Ilir Rusmalin, ish-zëvendëskryeministrin e tij.
Disa ditë më parë e akuzoi se ka votuar kundër dhënies së procesverbaleve të qendrave të votimit për Partinë Demokratike, ndërkohë që të gjitha procesverbalet i ka marrë, siç i takon me ligj, çdo anëtar i Komisionit të Qendrës së Votimit që është i PD. Por me sa duket, atyre nuk u ka mbetur më as numri i telefonit.
Pastaj urdhëroi Celibashin t’u jepte një kopje dhe ai urdhëroi një drejtor që t’ua jepte në formë elektronike. Kjo e zuri ngushtë, dhe atëherë akuzoi Ilir Rusmalin se nuk lejon rinumërimin që kërkon Partia Demokratike në Tiranë dhe qarqe të tjera.
Dje, katër kandidatë të Berishës në Tiranë dhe Durrës, që dyshojnë se kandidatë të tjerë të Berishës u kanë vjedhur votat, kërkuan rinumërim. Dy anëtarët e PD në KAS dhe dy anëtarët e PS votuan kundër. Ilir Rusmali votoi pro. Domethënë, i vetmi që ishte dakord që votat në Tiranë për kandidatët të rinumëroheshin ishte ai, kurse Berisha doli zbuluar si hipokrit që tallej me kandidatët e vet që u kanë vjedhur votat.
Kjo e tërboi edhe më shumë.
Atëherë në mbrëmje urdhëroi Gazmend Bardhin t’i kërkonte Presidentit Begaj të shkarkonte Ilir Rusmalin si këshilltar ligjor të Presidentit. Në fakt, këtu zbuloi makthin e tij të vërtetë.
Ilir Rusmali ka qenë këshilltari juridik edhe i Sali Berishës si President, deri në vitin 1997. Madje, më i afërti i tij. Kërkesa e tij aq dramatike dhe me aq patos, në fakt, tani shkakton të qeshura.
Ilir Rusmali është anëtar i KAS si i pavarur, jo si përfaqësues i Presidentit, dhe është zgjedhur aty më 2021, ndërsa Bajram Begaj është bërë President më 2022, dhe Ilir Rusmali është bërë këshilltar i tij ligjor më 2024. Detyra e tij në KAS, që është një punë part-time e përkohshme vetëm kur ka zgjedhje, nuk ka asnjë lidhje dhe as konflikt interesi me punën si këshilltar juridik i Presidentit. Ai nuk përfaqëson aty Presidentin. Presidenti nuk ka rol në procesin zgjedhor, përveç detyrës që të caktojë datën e zgjedhjeve. Dhe ajo nuk është ankimuar në KAS.
Presidenti i Republikës nuk ka asnjë pushtet ligjor mbi institucionet që administrojnë zgjedhjet, pasi të gjitha institucionet e zgjedhjeve zgjidhen nga Parlamenti, njësoj si Presidenti. Madje Berisha ka dhënë votën e tij që KAS, një prej institucioneve të zgjedhjeve, ta ketë mandatin deri më 2029. Pra, me votën e Berishës, Ilir Rusmali do të jetë anëtar i KAS deri më 2029, pavarësisht punëve të tjera që mund të bëjë – qoftë si këshilltar juridik i Presidentit apo në ndonjë detyrë tjetër në të ardhmen.
Tani Sali Berisha duhet ta ndajë mendjen: a ka problem pse Ilir Rusmali është anëtar i KAS, apo pse është këshilltar juridik i Presidentit?
Deri dje ankohej pse është anëtar i KAS dhe po i çregullonte procesin. Kur doli zbuluar si hipokrit me të vetët, dhe kur vetëm vota e Rusmalit ishte pro kandidatëve të tij, tani kërkon shkarkimin si këshilltar i Presidentit. Pra, e dashka në KAS?
Atëherë, nëse e do në KAS, çfarë problemi ka – përveç urrejtjes së tij personale ndaj Rusmalit, që nuk i firmosi djalit të tij projektin për Gërdecin, që vetë Berisha kërkonte të bëhej me vendim qeverie?
Në fakt, i vetmi që duhet ta urrejë atë është Fatmir Mediu, se ai me atë vendim shpëtoi Sali Berishën dhe ja la barrën e fajit Fatmir Mediut. Tani do kishim në gjyq Berishën me të birin për Gërdecin dhe jo Fatmirin, që po shkon për dhjamë qeni për të birin e tij. Dhe kjo është e vetmja arsye për gjithë urrejtjen e tij ndaj Ilir Rusmalit.
E vetmja gjë që nuk arrij të kuptoj, është se si ndjekësit më të zellshëm të tij arrijnë të përshtatin urrejtjen e tyre, vetëm për të fituar zemrën e një njeriu, që në fakt nuk ka zemër por një pirg me urrejtje.