Donar Dibra: Rezoluta e urrejtjes
publikuar nga RedaksiaLexo, ne #Lexo. ora 19:48
Kur nuk rrëzon dot Ramën, rrëzo demokratët
O Sali, pse i urren kaq shumë demokratët, mor burrë?
Jo vetëm që i le rrugëve, pa shpresë, pa drejtim, por tani po i ushqen edhe me… rezoluta! Ç’të duhej kjo farsë me Belindin dhe Albanën, që nuk do me i pa asnjë demokrat në sy, sepse ua dinë të gjitha bizneset që bëjnë nën hijen e qeverisë socialiste? I çon të përfaqësojnë demokratët në forumet e qendrës së djathtë europiane, ndërkohë që vetë PD-ja nuk ka më as qendër, as të djathtë, as forcë, as fuqi për asgjë.
Po mirë more qerata plak, edhe pas 11 majit prapë mendon se demokratët janë budallenj? Nuk e dinë vallë ata se kryeministrat e deputetëve evropianë që firmosin në rezolutat e tua janë të njëjtët që ishin në Tiranë më 15-16 maj, në Sheshin Skënderbej, dhe uruan live Edi Ramën për fitoren e katërt? Apo kujton se me foton e urryer të Banës dhe Belos me deputetë të partive të djathta do mbulosh fytyrat e qeshura të liderëve të BE-së me Edi Ramën, në foton familjare këtu në Tiranë?
Po si ka mundësi të të ketë rrëshqitur ledhi deri në këtë pikë, sa t’i marrësh demokratët për budallenj deri në këtë kufi?
Në PD-në që nuk të do ty, Sali, kemi plot miq demokratë të ndershëm. Dhe e di ç’më tha njëri? Po ta them, që ta dish:
“Berisha na urren aq shumë, sa na ka lëshuar në qafë Belon dhe Banën – që të na duket Flamuri lule!”
Ka ardhur koha të ndalesh, Sali – je 81 vjeç, por demokratët e dinë mirë se ti vendimin nuk e merr vetë. Thuaji Ramës të vërë dorën në zemër, të të lërë të lirë të largohesh nga drejtimi i PD-së. Bëjua këtë nder të fundit demokratëve. Lëri të gjejnë vetë rrugën e tyre. Ata kanë 13 vjet që sorollaten, dhe përpara i pret një rrugë edhe më e gjatë në opozitë.
Meseleja e 11 majit ka mbaruar, Sali. E di ti, e dinë demokratët, e di dhe i madh e i vogël këtu dhe në diasporë.
83 mandatet e Edi Ramës nuk rrëzohen me rezoluta, por me vota – pas 4 vjetësh.
Nëse do të qëndrosh në krye të PD-së – se ndoshta s’të jep leje Rama të ikësh – dhe nëse të ka mbetur sadopak përgjegjësi, në zgjedhjet vendore të 2027-ës mos fut fare kandidatë. Zgjidh dy bashki për vete dhe kurseja shtetit 5-6 milionë euro shpenzime zgjedhjesh. Të quhet sevap në botën e përtejme – se demokratë që të ndjekin ty, nuk ke më.
E ke vënë re që edhe në PS mungon deri-diku entuziazmi pas fitores? Pyeta disa miq deputetë të PS-së:
“Ore, sikur s’ju shoh shumë të gëzuar pas 11 majit?”
Dhe përgjigjja ishte therëse:
“Jo more, të gëzuar jemi sa s’thuhet… por kur mendojmë që çdo të enjte do dëgjojmë si pllakë gramafoni Saliun, Flamurin, Albanën, Palokën, Jozefinën, Strazimirin, Oerdin & Co… na ikën vetvetiu humori, por prapë se prapë shyqyr që i kemi. Hajër e bëftë Zoti të kenë shëndet, por inshallah kemi mirë Saliun dhe Fredi Belerin!”