Futbolli bashkon të rinjtë/ Në Kukës djemtë organizohen çdo fundjavë për ndeshje
publikuar nga Nijazi Mema, ne #ABC News. ora 20:18
KUKËS- Një grup të rinjsh të Kukësit mblidhen çdo fundjavë në kompleksin sportive, aty ku zhvillojnë ndeshje futbolli.
Rifat Demalia, drejtues i një organizate rinore, thotë se sporti duhet të kthehet në stil jetese, i cili nxit jo vetëm kalim kohë e largim nga veset, por është mundësi socializimi.
Më herët ka qenë pjesë e ekipeve të futbollit dhe këtë sport e adhuron. Rustem Lugja, Blerim Tola, Arbër Palushi dhe Ambi Germizi janë pjesë e këtij ekipi. Thonë se nisma të tilla janë jashtë mase me vlerë për të bërë diçka ndryshe.
E kanë kthyer në traditë duke marrë për model edhe të rinjtë e Tiranës duke e cilësuar si Ligën e të dielës. Është shenjë pozitiviteti prania e të rinjve në komplekset sportive. Janë grupe amatore e për ta s’kanë rëndësi rezultatet.
Rifati, i lidhur me natyrën dhe malet thotë se sporti është primar për shëndetin, ndaj sipas tij, qytetarët e veçanërisht të rinjtë, duhet të vënë prioritete për t’u marrë me sport të çfarëdo lloji.
Kukësi ka kapacitete sportive, ndaj mbetet veçse angazhimi për t’u ofruar pranë këtyre terreneve. Rifati kujton terrenet e dikurshme, por jo mungesën e dëshirës për të luajtur futboll, por jo vetëm.
Për të nxitur sportet dhe aktivitetet fizike, organizatat rinore përgatisin gjysmë maratona apo aktivitete të tjera që synojnë të kthehen në të përvitshme.
Apeli vlen për të gjithë të rinjtë, për të nxitur iniciativa të tilla që veç të tjerash, të japin me tepër afrimitetet njerëzore dhe socializim, por edhe një këndvështrim tjetër rreth komunikimit me natyrën, në këto kohë të vështira ku teknologjia po bën punën e saj./abcnews.al