Bamir Topi: Sali Berisha, një e keqe e madhe e demokracisë shqiptare
publikuar nga S T, ne #JavaNews. ora 20:48
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, ish-presidenti Bamir Topi parashikoi se Partia Demokratike do të mbetet nën drejtimin e Sali Berishës për një kohë të pacaktuar. Sipas Topit, Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i PD-së, pavarësisht zhvillimeve të fundit në parti apo në skenën politike shqiptare.
Topi e mbështeti këtë qëndrim përmes një analize të mënyrës sesi janë ndërtuar listat e mbyllura të PD-së, të cilat, sipas tij, kanë shpërfillur parimin e primareve, duke treguar qartë kontrollin e fortë që Berisha mban mbi partinë.
I pyetur se çfarë mund të ndodhë me PD-në nëse Berisha nuk largohet, Topi shmangu hipotezat, duke e konsideruar të rrezikshme krahasimin në një çështje kaq të ndjeshme. Megjithatë, ai theksoi se situata në PD përbën një “të keqe të madhe të demokracisë”, duke e krahasuar me fenomene nga bota biologjike, ku deformimet shpesh transkriptohen në mënyrë të ngjashme edhe në politikë.
Çfarë mund t’i sjellë Berisha PD-së nëse nuk ndodh?
Bamir Topi: Unë nuk shkoj me hipoteza në gjëra kaq të rëndësishme. Do më çosh në krahasime që edhe unë do të pendohem pas emisionit nëse do t’i them. Krahasimin do ta bëja me çfarë ndodh në botën biologjike të njeriut sepse aty i kam krahasimet ndoshta më të vërteta të cilat transkriptohen pastaj në botën politike. Është një e keqe e madhe e demokracisë. Për mua janë të dy, duhet të jem ekuivalent në përcaktim, për mua janë të dy. Tani, njëri nuk gjykohet sepse ai vazhdon dhe vazhdon të fitojë.