Memaliaj plot ngjyra/ “Vjosa n’Fest”, aktivitete kulturore e panaire të shumta
publikuar nga Nijazi Mema, ne #ABC News. ora 20:32
MEMALIAJ– Qyteza e Memaliajit u gjallërua me ngjyra nga aktivitetet kulturore të organizuara në kuadër të edicionit të festivalit “Vjosa n’Fest”.
Në qendër të këtij eventi ishte promovimi i vlerave natyrore dhe kulturore që ofron kjo zonë e pasur.
Panairi bashkoi prodhime bio, punime artizanale dhe kuzhinë tradicionale nga zona të ndryshme të Shqipërisë së jugut, duke krijuar një atmosferë festive dhe mikpritëse.
Në panair morën pjesë artizanë nga shumë qytete të jugut, duke sjellë me vete prodhime autentike dhe unike.
Emigerta Elmazi, sekretare e përgjithshme në Bashkinë e Memaliajit, theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve për turizmin lokal.
Lumi i Vjosës, i njohur si lumi i fundit i egër në Europë, kohët e fundit është shpallur Park Kombëtar dhe po tërheq çdo ditë e më shumë turistë të huaj.
Vizitorët vijnë për të eksploruar këtë mrekulli natyrore, duke ushtruar sporte si rafting, i cili po fiton popullaritet dhe rritje nga viti në vit.
Kjo jo vetëm që promovon turizmin, por edhe ndërgjegjëson për rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit unik të kësaj zone./abcnews.al