Plani i armëpushimit i SHBA, i dërguari Witkoff: Reagimi i Hamasit, i papranueshëm
publikuar nga Xhensila Buba, ne #Euronews. ora 21:56
Steve Witkoff , i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, ka thënë se përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Gaza "është krejtësisht e papranueshme dhe vetëm na kthen prapa”.
“Hamasi duhet ta pranojë propozimin kornizë që kemi paraqitur si bazë për bisedime afërsie, të cilat mund t’i fillojmë menjëherë javën që vjen”, tha Witkoff në një postim në X.
“Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbyllim një marrëveshje armëpushimi 60-ditor në ditët në vijim, në të cilën gjysma e pengjeve të gjallë dhe gjysma e atyre që kanë vdekur do të kthehen në shtëpi tek familjet e tyre, dhe në të cilën ne mund të zhvillojmë në bisedimet e afërta negociata thelbësore me mirëbesim për të arritur një armëpushim të përhershëm.”
Hamasi tha se paraqiti një përgjigje ndaj propozimit që do të shihte lirimin e 10 robërve izraelitë të gjallë që mbaheshin në Gaza dhe kthimin e 18 trupave në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë.
Grupi palestinez theksoi se përgjigjja e tij ishte brenda një kuadri që do të siguronte një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë dhe gjithëpërfshirëse të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës dhe rrjedhën e lirë të ndihmës humanitare.