minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Video/ Supersticioziteti nuk bën punë: PSG dërrmon 5-0 Inter e rrëmben Champions

publikuar nga user 2, ne #Lapsi.al. ora 22:51


Paris Saint-Germain është kampion i Europës për herë të parë në histori. Në finalen e Champions League 2024/25, djemtë e Luis Enrique kanë dominuar përballjen ndaj Inter të Simone Inzaghi, që nuk hyri kurrë në ndeshje dhe u shkatërrua pa mëshirë me rezultatin 5-0. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 12’ nga ish-lojtari i zikaltërve, Hakimi, i cili nuk festoi, pas asistit të Désiré Doué, protagonisti absolut i një nate ëndrrash. Francezi i lindur në vitin 2005 realizoi golin e dytë në minutën e 20’ dhe shënoi edhe dygolëshin personale në minutën e 63’ në përfundim të një aksioni në vertikal.

Inter arriti të afrohej pranë portës së Donnarumma vetëm nëpërmjet goditjeve standarte, por dhjetë minuta më vonë pësoi edhe golin e katërt nga Kvaratskhelia, i cili ndezi festën e tifozëve francezë shumë përpara fundit të ndeshjes. Në fund, erdhi edhe goli i talentit të vitit 2006, Mayulu, i cili vulosi diferencën më të madhe ndonjëherë në një finale të Champions League.

Lexo më tej: Kush e fiton finalen e Champions Inter-PSG: parashikimi i inteligjencës artificiale

Ngul flamurin, Luis. Ngule në qendër të fushës sikur duart mbi atë shtyllë të jenë sërish katër – të tuat dhe të vajzës Xana – mbyll sytë dhe imagjino se ajo është aty me ty. PSG e tepron. Pesë gola ndaj një Interi të panjohur, titulli i parë në Champions në histori, tripleta dhe premtimi i mbajtur nga Luis: të festojë në mes të fushës, me flamurin, për të kujtuar vajzën që nuk është më prej pesë vitesh.

Një finale e fituar duke dominuar dhe ndërtuar futboll në çdo repart, nga një mbrojtje granit deri te tre sulmues që meritojnë kapelën. Katër lojtarë u shpallën “njeriu i ndeshjes”: Hakimi, Kvara, Mayulu dhe Doué (me dopietë). Më 3 qershor, “djali i artë” i Angers do të festojë 20-vjetorin si kampion i Europës.

Luis Enrique do të parakalojë në Champs-Élysées si trajneri i dytë në histori që fiton tripletën me dy skuadra të ndryshme, pas Guardiolës. Inzaghi largohet nga Mynihu i mposhtur dhe me vetëdijen se ka përmbyllur një cikël, pasi ka luajtur dy finale të Champions League në tre vjet. Një goditje pa asnjë justifikim.