minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Alban Pira largohet Qori/ Pse po largohem nga Lëvizja Bashkë?

publikuar nga RedaksiaLexo, ne #Lexo. ora 22:29


Pjesa e parë e këtij shkrimi është një përmbledhje e shkurtër historike e Organizatës Politike, Lëvizjes “Universiteti në Rrezik” dhe Lëvizjes “Për Universitetin” nga këndvështrimi im si aktivist i angazhuar në secilin prej këtyre grupimeve. Ndërsa pjesa e dytë përbën një analizë kritike të asaj që përfaqëson sot Lëvizja Bashkë dhe realitetit kompleks që e rrethon atë.
Organizata Politike (OP)

Në vjeshtën e vitit 2011, unë bashkë me disa shokë dhe shoqe të degës së Shkencave Politike filluam të marrim pjesë në takimet e një grupi të quajtur Organizata Politike. Kjo organizatë ishte një hapësirë ku ne shkuam për të kuptuar më mirë rrethanat politike dhe për të zhvilluar një strategji angazhimi politik jashtë kornizave tradicionale. Në këtë mjedis gjetëm figura të ndryshme si Arlind Qori, Leart Kola, Deni Sanxhaku, Redi Muci, Jani

Marka dhe shumë të tjerë, të cilët për disa kohë luajtën një rol në zhvillimin e idesë së organizatës.
Në vitin 2013, pas zgjedhjeve parlamentare, disa prej anëtarëve të Organizatës Politike u larguan, ndërsa të tjerë – si Deni, Jani, Arlindi dhe Redi – vazhduan rrugën e angazhimit politik brenda Organizatës Politike. Nga viti 2011 deri në vitin 2018, kauza studentore ishte i vetmi angazhim politik real i kësaj organizate. Gjatë kësaj periudhe, veprimtaria e saj u përqendrua pothuajse ekskluzivisht në çështjet e arsimit të lartë dhe në ndërmjetësimim e organizimit të studentëve përmes Lëvizjes “Universiteti në Rrezik” dhe Lëvizjes “Për Universitetin”.
Nga “Universiteti në Rrezik” te Lëvizja “Për Universitetin” – një vazhdimësi e të njëjtës rezistencë.
Nga fundi i vitit 2011, në një klimë gjithnjë e më të rënduar për studentët, nisi të marrë formë një revoltë e re brenda ambienteve universitare. Ajo nisi me pakënaqësitë ndaj detyrimit për të dhënë provimin TOEFL dhe kundër stazheve të detyruara dhe të papaguara për disa degë studimi. Pikërisht në këtë kontekst, një grup studentësh të Shkencave Politike nisëm një aksion simbolik duke ngjitur fletë me mbishkrimin “Universiteti në Rrezik” në muret e fakultetit. Ky akt shënoi fillimin e një lëvizjeje që do të shtrihej më tej në fakultete të tjera dhe do të konsolidohej si një organizim studentor me qëllim mbrojtjen e arsimit të lartë publik dhe të drejtave studentore.

“Universiteti në Rrezik” ishte një reagim i parë i artikuluar ndaj tentativave për komercializimin e universitetit. Ajo ndërtoi një frymë solidariteti dhe ndërgjegjësimi mes studentëve, duke krijuar një bërthamë aktivizmi që zgjati deri në vitin 2013. Në mesin e atij viti, për shkak të tensioneve të brendshme dhe debateve mbi drejtimin dhe strategjitë e veprimit, një pjesë e këtij grupi vendosi të rifillojë punën në një formë të re, duke themeluar Lëvizjen “Për Universitetin”.

Kjo lëvizje e re, ndonëse me një emër të ndryshëm, vijoi në të njëjtin drejtim thelbësor si pararendësja e saj: mbrojtjen e arsimit publik dhe ndërtimin e një universiteti si hapësirë demokratike. Me një strategji më të strukturuar dhe me përvoja të grumbulluara nga faza e mëparshme, “Lëvizja për Universitetin” organizoi protesta, aksione simbolike, diskutime publike dhe ndërhyrje të qëndrueshme në jetën akademike. Ajo arriti të krijojë një rrjet aktivistësh dhe të luajë rol kyç në rritjen e ndërgjegjes studentore, duke ushqyer një kulturë rezistence që kulmoi me protestat masive të dhjetorit 2018.
Që nga fillimi, as Lëvizja “Universiteti në Rrezik“ dhe as Lëvizja “Për Universitetin” në fakt nuk funksionuan si entitete të pavarura pavarësisht se roli i Organizatës Politike në fillim ishte vetëm ndërmjetësues. Të dyja u përdorën eventualisht si instrumenta të Organizatës Politike për të shtrirë influencën në fushën e aktivizmit studentor sipas konceptit të Gramshit për shtritjen e hegjemonisë përmes kontrollit ideologjik dhe kulturor, duke formësuar mënyrën e të menduarit dhe vepruarit të grupeve shoqërore. Në këtë kuadër, Organizata Politike i përdori këto lëvizje si mjete për të zgjeruar ndikimin e vet dhe për të konsoliduar pozicionin politik brenda universiteteve dhe mes studentëve. Megjithatë, ky ndikim nuk erdhi pa debate të brendshme. Kontrolli dhe ndikimi i Organizatës Politike brenda këtyre lëvizjeve çuan në mosmarrëveshje mbi drejtimin dhe strategjinë e tyre, të cilat shkaktuan largimin e disa aktivistëve që kritikonin hegjemoninë e organizatës brenda lëvizjes studentore.

Me zbehjen e protestave të mëdha studentore të vitit 2018 Organizata Politike ndali praktikisht çdo aktivitet të organizimit studentor, duke e reduktuar angazhimin në mesazhe por pa veprime konkrete në terren. Fokusin e kaloi te kauza punëtore, duke u përqendruar në ndërtimin e sindikatave në sektorë të vështirë si Bulqiza, Ballshi dhe Call Center-at. Megjithatë, përpjekjet për të ngritur një lëvizje sindikaliste u përballën me sfida të mëdha: kryetarët e sindikatave u pushuan nga puna, ndërsa Organizata Politike nuk dispononte infrastrukturën dhe burimet e nevojshme për t’u ofruar mbrojtje dhe siguri efektive atyre që përballeshin me presionin e punëdhënësve dhe shtetit. Si pasojë, këto goditje dhe mungesa mbështetjes sollën rrëzimin e sindikatave të ngritura dhe rrugës sindikaliste që u nis, duke shënuar një humbje të rëndë për organizimin punëtor në vend.
Në vitin 2021, Organizata Politike ndërmori për herë të parë një përpjekje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet elektorale, duke mbështetur kandidaturën e minatorit Elton Debreshi si i pavarur në Dibër. Ishte një moment simbolik: një punëtor i nëntokës sfidonte sistemin politik nga vetë zemra e një prej rajoneve më të margjinalizuara të vendit. Kandidatura e tij mishëronte aspiratën për të përfaqësuar një politikë tjetër, të dalë nga poshtë, nga vetë njerëzit që përballen përditë me padrejtësinë dhe pasigurinë. Megjithatë, pavarësisht jehonës fillestare dhe përfshirjes së sinqertë të dhjetra aktivistëve, rezultati ishte zhgënjyes. Fushata hasi në kufijtë realë të një strukture pa rrjet mbështetës, pa burime dhe pa infrastrukturë që mund të përballonte makinerinë e partive të mëdha.
Përtej rezultatit konkret, ajo përvojë shënoi një pikë kthese: zbuloi qartë sa i thellë ishte hendeku mes dëshirës për përfaqësim autentik dhe mundësisë reale për të ndërtuar një organizim politik të qëndrueshëm të klasës punëtore. Shpresa për një përfaqësim elektoral të punëtorëve u godit rëndë, duke lënë pas vetes më shumë pyetje sesa përgjigje mbi strategjinë, format dhe rrugës që duhej ndjekur për të ndërtuar një alternativë politike të së majtës reale në Shqipëri. Si pasojë e këtyre zhgënjimeve dhe debateve të brendshme mbi vlefshmërinë e përkushtimit ndaj kauzës punëtore nga ana e Organizata Politike ndodhi edhe largimi i një grupi aktivistësh që nuk ishin dakord me vazhdimin e rrugës sindikaliste të organizatës.
Që nga “Universiteti në Rrezik”, përgjatë viteve të Lëvizjes “Për Universitetin” dhe deri te kthesa sindikaliste e Organizatës Politike, janë larguar dhjetëra figura kyçe — aktivistë që i dhanë identitet, energji dhe drejtim këtyre fazave të ndryshme të angazhimit. Këto largime nuk ishin thjesht pasojë e lodhjes apo kalimit në etapa të reja jetësore të këtyre njerëzve por kryesisht rezultat i përplasjeve të përsëritura mbi drejtimin strategjik, rolin e hegjemonisë në organizim dhe mungesës së një reflektimi të ndershëm kolektiv mbi dështimet dhe kufizimet e akumuluara ndër vite. Shumë prej tyre lanë pas jo vetëm një boshllëk numerik por edhe një zbrazëti të thellë politike e intelektuale. Ky zbrazëtim i vazhdueshëm është dëshmia më e qartë se kriza nuk ka qenë thjesht personale apo kontingjente por strukturore — një krizë e modeleve të organizimit dhe e kuptimeve të vetë angazhimit politik.

Lëvizja Bashkë – E reja që nuk po lind!

Lëvizja Bashkë u themelua në Dhjetor 2022, në Kongresin e parë ku u formalizua transformimi nga organizatë politike në parti. Në Kongresin e parë dhe të dytë morën pjesë më pak se 200 anëtarë, ndërkohë që shumë prej atyre që punuan me vite për ndërtimin e këtij projekti nuk u përfshinë në këto proçese themeluese. Kjo mungesë përfshirjeje nuk është thjesht një gabim organizativ por reflekton në mendimin tim një problem më të thellë: një distancë mes elitës drejtuese dhe bazës së vërtetë të aktivistëve dhe mbështetësve. Nëse kjo sfidë nuk trajtohet me sinqeritet, Lëvizja Bashkë rrezikon të kthehet në një strukturë tjetër të mbyllur, larg realitetit dhe pa forcën e vërtetë për të sfiduar sistemin politik ekzistues.

Në Lëvizjen Bashkë përgjatë një viti kam mbajtur pozicionin e drejtuesit të diasporës, ku kam pasur përgjegjësinë për organizimin dhe koordinimin e anëtarësisë jashtë vendit. Punën time e kam nisur me një databazë të vogël anëtarësh dhe përmes angazhimit të përditshëm dhe bashkëpunimit me anëtarë të tjerë në diasporë, kjo databazë u zgjerua në mbi 1000 anëtarë deri para zgjedhjeve te 11 Majit. Ky rezultat është arritur përmes një pune sistematike organizative, metodave fleksibile te koordinimit si dhe decentralizimit të strukturës, duke marrë si shembull të mirë vetëfunksionimin e bazës organizative në Itali. Falë kontributit te anëtarësisë në diasporë,

Lëvizja Bashkë arriti të mbledhë fonde të konsiderueshme por edhe të sigurojë 4346 vota në zgjedhjet e fundit, duke dëshmuar potencialin e madh të angazhimit politik jashtë vendit.
Gjatë nje viti e gjysëm që kam qenë anëtar i Sekretariatit të Lëvizjes Bashkë, kam mbajtur një qëndrim kritik dhe konstruktiv ndaj mënyrës së organizimit të strukturave tona. Kam qenë gjithmonë kërkues në lidhje me përgjegjësinë dhe llogaridhënien brenda partisë, duke theksuar nevojën për transparencë dhe punë konkrete politike. Në çdo mbledhje kam shprehur pakënaqësi të thella për mungesën e rezultateve konkrete dhe për mënyrën si po funksiononin strukturat, duke kërkuar vazhdimisht ndryshime dhe përmirësime që do të mundësonin një performancë më efikase dhe më të përqendruar te puna politike. Qëndrimi im kritik ka synuar gjithnjë që Lëvizja Bashkë të kalonte nga organizimi formal drejtë një force politike me ndikim real në shoqëri.
Një problem thelbësor që ka Sekretariati i Lëvizjes Bashkë është infantiliteti politik dhe amatorizmi organizativ, gjë që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e përgjithshëm të partisë. Kjo mungesë pjekurie politike ka krijuar një situatë ku demokracia brenda strukturave tona është kthyer në një “demokraci me kokë poshtë”: struktura formale ekziston vetëm si një fasadë, ndërsa vendimet e rëndësishme merren nga

Sekretariati në mënyrë të centralizuar. Për pasojë, kjo ka sjellë një defiçit organizativ të konsiderueshëm dhe një demotivim të dukshëm në radhët e bazës, e cila shpesh nuk ka ndjerë asnjë përfshirje reale në proçeset vendimmarrëse. Kjo dinamikë jo vetëm që ka penguar zhvillimin dhe konsolidimin e organizimit tonë por edhe ka ngritur pikëpyetje tek anëtarët për vlerat demokratike që duhet të na udhëheqin.
Paaftësia jonë për të identifikuar qartë ku dhe si të përqendrojmë burimet dhe njerëzit që kishim në dispozicion gjatë fushatës, krijoi një kaos organizativ që ishte më shumë dëm sesa përfitim. Në vend që strukturat drejtuese të shërbenin si shtylla kryesore të organizimit lokal dhe mobilizimit në terren, ato u reduktuan në thjesht pjesëmarrës pasivë në një numër takimesh pa strategji të qartë dhe pa përgjegjësi konkrete. Kjo situatë çoi në një shpërndarje të pakuptimtë të energjisë dhe burimeve tona, duke dobësuar ndikimin tonë në terren dhe duke krijuar një atmosferë konfuzioni dhe mosbesimi brenda strukturave. Në vend që të ishin motor i ndryshimit dhe grumbullues i votave, drejtuesit u bënë thjesht dëshmitarë të një proçesi që nuk u ndërtua me mendje të qartë dhe strategji të konsoliduar.
Një nga gabimet më të mëdha dhe më të rëndësishme që Lëvizja Bashkë ka bërë dhe që fatkeqësisht nuk është pranuar kurrë si i tillë, është konflikti i pazgjidhur me Adriatik Lapajn. Ky konflikt, i mbajtur i fshehur nën petkun e heshtjes, vazhdon të ketë ndikim negativ në imazhin publik të Lëvizjes Bashkë. Mospërballja me këtë problem dhe mungesa e reflektimit për gabimet e bëra dëshmojnë një papjekuri politike dhe një rezistencë ndaj vetëkritikës së domosdoshme. Për më tepër, edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, Lëvizja Bashkë vazhdon të mbajë një qëndrim të ngurtë dhe konfrontues ndaj rivalëve të rinj, duke përforcuar ndarjet dhe duke përcjellë mesazhe që dobësojnë misionin tonë. Ky qëndrim reflekton një mbivendosje të interesave të ngushta partiake mbi nevojën për ndryshim të vërtetë në vend, duke dëshmuar se edhe brenda politikës sonë të brendshme dominon lufta për pozicione dhe egoja, në vend të ndërtimit të një projekti politik serioz dhe transformues.

Në mungesë të strukturave të qëndrueshme dhe të organizuara fushata e Lëvizjes Bashkë në këto zgjedhje u mbështet kryesisht në frymën dhe entuziazmin e anëtarëve. Edhe në këtë drejtim, në vend që të nxirrnim në pah vlerat dhe potencialin tonë, fokusi u vendos tek sulmet ndaj kundërshtarëve politik dhe rivalëve të rinj, duke u përqendruar më shumë tek kritika e të tjerëve dhe jo në ofertën pozitive për ndryshim. Kjo qasje bëri që në thelb ne të terhiqnim në mase të madhe votuesit e mllefosur dhe të pakënaqur, të cilët ishin të gatshëm të votonin kundër sistemit aktual por jo domosdoshmërisht për një vizion konstruktiv dhe të ardhme të qartë. Për më tepër, në këto zgjedhje u provua se Lëvizja Bashkë nuk arriti të bëhej forca që do të “gërryente” Partinë Socialiste apo që do të siguronte një alternativë të fortë politike; ne akoma nuk e dimë me saktësi se kush na votoi dhe përse. Për mua kjo fushatë ishte reflektim i dobësive tona organizative dhe mungesës së një strategjie të thelluar dhe të konsoliduar politike.

Strategjia e Lëvizjes Bashkë për t’u fokusuar pothuajse ekskluzivisht te lista e mbyllur solli në praktikë djegien politike të listës së hapur. Edhe pse formalisht ajo ekzistonte, në realitet nuk u trajtua si pjesë e fushatës: nuk pati as strategji për ta aktivizuar, as komunikim të qëndrueshëm me kandidatët, as përfshirje të tyre në ngjarje apo vendimmarrje. Pjesa dërrmuese e kandidatëve të listës së hapur u lanë në heshtje dhe u injoruan, duke u përjashtuar de facto nga fushata. Vetëm 40-50 kandidatë morën rol aktiv në terren, ndërsa shumica u lanë jashtë një proçesi që duhej të ishte përfshirës dhe mobilizues. Ndërkohë, subjekte të tjera që dogjën vetëm një të tretën e listës arritën të krijojnë një garë të brendshme që i mobilizoi kandidatët për të kërkuar votën dhe për të rritur praninë në komunitet. Ky dështim i Lëvizjes Bashkë për të ndërtuar një strategji reale rreth listës së hapur nuk ishte teknik, por politik — sepse në thelb dërgoi një sinjal për mungesën e besimit ndaj bazës dhe paaftësinë për të ndërtuar një ekip të gjerë përfaqësues.

Kur unë kam propozuar sloganin “E reja po lind” në Këshillin Koordinues, nuk e kam menduar thjesht si një mjet elektoral por si një thirrje politike për lindjen e një epoke të re – një moment që i ftonte të gjitha alternativat që sfidojnë sistemin e vjetër dhe partitë e vjetra ta ndanin bashkë këtë horizont ndryshimi. Slogani synonte të përfshinte, jo të përjashtonte. Por ky slogan hasi në rezistencë nga vetë Lëvizja Bashkë, pikërisht për shkak të një ndjenje të thellë ekskluziviteti që karakterizon këtë forcë politike – një prirje për ta përvetësuar çdo shpresë të re dhe çdo gjuhë ndryshimi vetëm për vete. Kjo u bë e dukshme gjatë fushatës, ku “E reja po lind” u kthye në një pronësi simbolike të Lëvizjes Bashkë dhe jo si një ftesë e hapur për gjithë ata që e sfidojnë rendin aktual. Për mua, “E reja” nuk ka vetëm një emër apo një fytyrë të vetme. Ajo përbëhet nga shumë emra dhe fytyra të ndryshme — të gjithë ata që kërkojnë një ndryshim të vërtetë dhe të thellë në sistemin tonë. “E reja” është thirrja për një epokë të re, ku nuk dominon një subjekt i vetëm, por ku bashkëjetojnë dhe bashkëpunojnë alternativa të shumta që sfidojnë rrënjësisht sistemin e vjetër dhe partitë tradicionale.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, dhe duke njohur thellësisht strukturën e Lëvizjes Bashkë, është e qartë për mua se ndryshimi është bërë pothuajse i pamundur. Ata që duhet të ishin të parët në procesin e reflektimit dhe hapjes, janë pikërisht ata që e mbrojnë më me fanatizëm gjendjen ekzistuese. Kjo ka prodhuar një kulturë mbylljeje, përjashtimi dhe vetëmbrojtjeje, ku çdo kritikë përjetohet si rrezik dhe jo si mundësi politike. Në këtë klimë, ku zëri kritik shtypet dhe ndryshimi sabotohet nga brenda, largimi im nuk është dorëheqje por akt politik kundërshtimi ndaj një strukture që nuk lë më hapësirë për emancipim të brendshëm. Megjithatë, unë do të vazhdoj angazhimin tim si një njeri i lirë dhe i pavarur duke qëndruar besnik ndaj idealeve të barazisë, drejtësisë dhe emancipimit shoqëror.
Në mbyllje dua të falenderoj nga zemra ata 211 njerëz që më besuan votën në këto zgjedhje dhe të gjithë anëtarët e Lëvizjes Bashkë, me të cilët patëm mundësinë të ecim në këtë rrugëtim plot sfida dhe shpresë. Në frymën e këtij përkushtimi të përbashkët, më kujtohen fjalët e Bertolt Brecht-it: “Nuk mjafton që e mira të jetë e mirë, ajo duhet të jetë edhe e fortë.” Kjo është thirrja që na sfidon të mos dorëzohemi, të luftojmë me guxim dhe pasion për një të ardhme ku ndryshimi nuk është vetëm ëndërr por një realitet i pamohueshëm./Nga Alban Pira