minuti.al

... e reja e cdo minuti!

I nxehti “mbërthen” Europën/ Dy viktima në Itali, evakuime banorësh në Turqi

publikuar nga Re Nato, ne #ABC News. ora 14:13


Dy persona kanë humbur jetën në Itali për shkak të temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Europën gjatë një vale intensive të të nxehtit.

Në qytetin e Bolognës, një 47-vjeçar vdiq pasi pësoi komplikacione shëndetësore në një kantier ndërtimi, ndërsa një 70-vjeçar u mbyt gjatë përmbytjeve të shpejta në një vendpushim pranë Torinos.

Në Itali, rajoni i Toskanës ka parë një rritje prej 20% të shtrimeve në spitale. Në 21 nga 27 qytetet italiane është shpallur alarmi më i lartë për temperaturat ekstreme. Në Lombardi, është ndaluar puna në ambient të hapur nga ora 12:30 deri në 16:00 deri në shtator.

Në Turqinë perëndimore, mbi 50,000 persona janë evakuuar si pasojë e zjarreve të fuqishme në provincën e Izmirit, ndërsa janë raportuar zjarre edhe në Bilecik, Hatay, Sakarya dhe Manisa. Ministri i Pyjeve, bëri të ditur se gjatë tre ditëve të fundit, ekipet emergjente kanë ndërhyrë në 263 zjarre në mbarë vendin.

Në Francë, pjesa e sipërme e Kullës Eiffel është mbyllur për shkak të të nxehtit, ndërkohë që janë regjistruar rekordet më të larta të temperaturave për muajin qershor në disa qytete. Rajoni i Parisit ka shpallur për herë të parë pas pesë vitesh alarm të kuq për temperaturat ekstreme, duke çuar në mbylljen e pjesshme ose të plotë të 1,350 shkollave publike.

Në Spanjë dhe Portugali, janë regjistruar temperaturat më të larta të qershorit ndonjëherë, me 46°C në El Granado të Spanjës dhe 46.6°C në Mora të Portugalisë. Në disa zona të Gadishullit Iberik, temperaturat kanë kaluar 43°C, megjithatë parashikohet një lehtësim nga e enjtja.

Në Gjermani, meteorologët paralajmëruan se temperaturat do të shkojnë deri në 38°C, duke rrezikuar rekorde të reja. Në Greqi, temperaturat kanë qëndruar afër 40°C për disa ditë, me zjarre që kanë përfshirë zona pranë Athinës, duke detyruar evakuime dhe shkatërruar shtëpi.

Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, deklaroi se vala e të nxehtit është një paralajmërim për nevojën urgjente për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Ai theksoi se temperaturat ekstreme rrezikojnë të drejtën për jetë, shëndet dhe një mjedis të shëndetshëm.