Një telefonatë që i hoqi postin, pezullohet nga detyra kryeministrja e Tajlandës
publikuar nga Rovena, ne #ABC News. ora 15:25
Një bisedë telefonike e publikuar në media ka rezultuar në pezullimin e kryeministres së Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, nga detyra, të paktën përkohësisht. Sipas "BBC”, Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka vendosur ta pezullojë atë pas shpërndarjes së bisedës telefonike me ish-liderin kamboxhian Hun Sen, e cila ka ngjallur shumë reagime publike. Aktualisht, ende po shqyrtohet nëse do të shkarkohet përfundimisht apo jo.
Në këtë bisedë, Paetongtarn Shinawatra e quante Hun Sen "xhaxha” dhe shprehte kritika ndaj një komandanti ushtarak tajlandez. Reagimet e ashpra nga publiku pas këtyre komenteve kanë shtyrë kërkesat për dorëheqjen e saj, ndërkohë që është nisur një peticion për shkarkimin e kryeministres, të cilin aktualisht gjykata po e shqyrton.
Ky incident mund të shndërrohet në humbjen e pushtetit për Paetongtarn Shinawatra, pjesë e familjes Shinawatra, e cila ka dominuar politikën tajlandeze për dy dekada. Koalicioni qeverisës i kryeministres ka filluar të përçarë dhe të dobësohet, pas largimit të një aleati të rëndësishëm konservator dy javë më parë.
Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka votuar me 7-2 për pezullimin e saj, ndërkohë që ende po shqyrton çështjen e shkarkimit. Shinawatra ka 15 ditë kohë për të paraqitur mbrojtjen e saj. Megjithatë, ajo do të vazhdojë të mbajë një post tjetër në kabinet si ministre e Kulturës, pas një riorganizimi të qeverisë që u miratua disa orë përpara pezullimit të saj.
Pak para pezullimit, kryeministrja e Tajlandës kërkoi një herë tjetër falje publike, duke theksuar se qëllimi i telefonatës me Hun Sen kishte qenë "më shumë se 100% për të mirën e vendit.”/abcnews.al