minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Pas paralajmërimit të Ramës për “shkrirjen” e AKU-së, Denaj pezullon inspektimet

publikuar nga fra nc, ne #Euronews. ora 10:41


Pas paralajmërimit të fortë të kryeministrit Edi Rama për “shkrirjen” e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka ndërmarrë vendimin për të ndërprerë inspektimet në terren dhe për të nisur një rivlerësim të plotë të trupës inspektuese.

Me një urdhër të posaçëm, Denaj ka pezulluar përkohësisht të gjitha inspektimet e AKU-së që nuk janë të planifikuara apo të miratuara zyrtarisht.

“Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktiviteteve të inspektimit pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara,” deklaroi ministrja, duke theksuar nevojën për transparencë dhe profesionalizëm në proceset kontrolluese të këtij institucioni.

Për të garantuar integritetin e këtij procesi, është ngritur një komision i posaçëm me 5 anëtarë, në përbërje të të cilit janë përfshirë edhe 3 përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ky komision do të ketë si detyrë rivlerësimin e plotë të trupës aktuale të inspektorëve të AKU-së, përmes testimeve të shkruara dhe me gojë.

“Ky është një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një trupë inspektuese të aftë, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve,” theksoi Denaj.

Ministrja bëri të ditur se procesi do të shtrihet edhe tek aplikantët e rinj, të cilët synojnë t’i bashkohen strukturave të AKU-së. “Synimi është të sjellim një frymë të re pune, një qasje moderne dhe mbi të gjitha një etikë të re në këtë institucion,” tha Denaj.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së kryeministrit Rama, i cili e cilësoi performancën e AKU-së si “të papranueshme” dhe kërkoi masa urgjente për të reformuar këtë strukturë ose përndryshe ajo rrezikon të shkrihet.

“Ky proces do të përfshijë jo vetëm analizën e masave dhe praktikave të kaluara, por edhe testimin e potencialit individual të çdo kandidati, në frymën e një kulture të re pune,” përfundoi ministrja Denaj.