minuti.al

... e reja e cdo minuti!

Ndërtim pa leje në Voskopojë:Arrestohet administratori, procedohen 2 punonjës të IMT

publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 15:36


Në një operacion të koordinuar, Policia e Shtetit ka arrestuar administratori i një subjekti privat, i cili dyshohet se ka ndërtuar pa leje në aksin rrugor Korçë–Voskopojë. Shtetasi Ibrahim Kruja, 63 vjeç, u kap në flagrancë pasi dyshohet se kishte ngritur disa bazamente betoni me qëllim ndërtimin e godinave, pa marrë lejet e nevojshme dhe pa përmbushur dokumentacionin ligjor.

Veprimet përkatëse u realizuan në kuadër të një operacioni më të gjerë, të nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për kontroll të territorit dhe luftimin e paligjshmërive. Pas një hetimi operativ, u arrit të sigurohej informacioni që çoi në arrestimin e administratorit.

Përveç tij, janë proceduar penalisht dy punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Korçë, shtetasit I. L., 54 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, të cilët dyshohet se shpërdoruan detyrën duke mos realizuar kontrollet e nevojshme dhe duke mos njoftuar autoritetet për ndërhyrjen e paligjshme.

Njëkohësisht, Policia ka pezulluar nga detyra disa efektivë të Policisë së Shtetit. Ata përfshijnë Inspektorin A. B. dhe Nënkomisarin E. P., të cilët janë subjekt i një hetimi disiplinor të thelluar për mungesë veprimi në rastet e paraqitura. Po ashtu, është iniciuar një procedurë disiplinore për Nënkomisarin P. B., koordinator i specialistëve të rendit në zonë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për qytetarët që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.