Afër një marrëveshje me BE-në, çfarë synon Sllovakia deri më 15 korrik?
publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 17:37
Sllovakia synon të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian deri të martën, më 15 korrik, në lidhje me furnizimet me gaz rus në bllok, një ndalim i të cilit është propozuar nga Komisioni Evropian duke filluar nga 1 janari 2028, u tha gazetarëve kryeministri sllovak Robert Fico.
“Sllovakia dëshiron të arrijë një marrëveshje me BE-në deri të martën mbi kërkesat e Bratislavës në lidhje me planin e Komisionit Evropian për të hequr gradualisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027”, tha Fico. “Deri të martën, besoj se mund të arrijmë diçka”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se është e vështirë të parashikohet se kur do të arrihet një marrëveshje e kënaqshme për Bratislavën dhe kur BE-ja do të jetë gati të miratojë sanksione të reja anti-ruse. "Nuk do t`i hedh interesat kombëtare sllovake në koshin e plehrave”, theksoi ai. "Ne duam garanci politike nga partnerët tanë. Nuk mund ta pranojmë paketën [e 18-të] të sanksioneve. Thjesht nuk mundemi, sepse Sllovakia nuk e mbështet atë”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ficos, gazi rus mbetet thelbësor për Evropën. Bratislava këmbëngul që BE-ja duhet të sqarojë se çfarë do të ndodhë me furnizimet me gaz rus pasi të zgjidhet konflikti në Ukrainë, duke pasur parasysh ndalimin e propozuar për importimin e burimeve energjetike ruse.