minuti.al

... e reja e cdo minuti!

36 mjete lundruese të bllokuara, Policia Kufitare shpëton disa shqiptarë e të huaj

publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 12:49


Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ka vazhduar aksionin për sigurinë detare përgjatë vijës bregdetare, zonave liqenore dhe lumore, në kuadër të operacionit "SIGURIA DETARE”.

Gjatë javës së fundit, janë kontrolluar gjithsej 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 mjete janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare dhe aktiviteteve të paligjshme, si dhe për mungesë të dokumentacionit të rregullt.

Mjetet e bllokuara përfshijnë:

24 Jet Ski

5 Skafe

4 Gomone

3 Varka metalike me motor uji

13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me një masë administrative prej 100,000 lekë secili.

Në kuadër të operacionit, Policia Kufitare ka ndërhyrë gjithashtu në 10 raste shpëtimi, ku janë ndihmuar 18 shtetas, shqiptarë dhe të huaj, të cilët ishin në rrezik për shkak të dallgëve të forta ose defekteve të mjetet e tyre lundruese. Shpëtimi ka ndodhur në zona të ndryshme nga Ksamili deri në Velipojë.

Ky aksion është pjesë e përpjekjeve të Policisë Kufitare për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese, duke parandaluar aksidentet dhe duke rritur kontrollin në plazhe dhe zona të rrezikshme gjatë sezonit turistik.