Tuma e Kamenicës, arkeologët: Duhet më shumë investim në sajtet arkeologjike
publikuar nga Elidona Aga, ne #Euronews. ora 14:11
Një grup arkeologesh shumë të njohur si dhe pedagogë që lidhen me arkeologjinë të universitetit të Salzburg kanë vizituar Tumën e Kamenicës, një nga sajtet me të njohura të historisë së arkeologjisë të vendit tonë.
Profesor Rubeer Bretwiser dhe Martin Chiefberger thanë se Shqipëria dhe Korça kanë vende të shumta që duhen vizituar por kanë nevojë për investime në kërkim dhe zbulim. Të dy prej tyre shtojnë se përgjegjësia nuk i ngelet vetëm qeverisë shqiptare por edhe vendeve të BE të cilat duhet të japin më tepër për vendet e Ballkanit.
"Tuma e Kamenicës eshte një nga vendet më interesante që kam parë. Një nga sajtet më të mirë mbajtura. Problemi është se këtu institucionet duhet të kenë më tepër vëmendje ndaj arkeologjisë, të investojnë me tepër në sajtet kulturore të trashëgimisë, e nga ana tjetër edhe ne si vende të BE duhet të jemi më të përqendruara drejt vendeve të Ballkanit”, tha Rubeer Bretwiser, Arkeolog.
"Ishim në Shkodër, Krujë, sot jemi në Korçë, me pas do të ikim në Butrint. Jemi një grup arkeologësh dhe profesorësh nga universitet i njohur dhe duam të njihemi me historinë tuaj. Një nga gjërat që do veçoja është vëmendja që kërkojnë këto vende arkeologjike nga institucionet, duhet me tepër investim ekonomik e nga ana tjetër do të shkruajmë e një raport për Austrinë, për të qënë më e vëmendshme me fonde drejt vendit tuaj”, tha Martin Chiefberger Arkeolog.
Në të njëjtën linjë është dhe arkeologu shqiptar Olsi Lafe i cili shton se me rritjen e numrit të vizitorëve në këto sajte rritet dhe nevoja e investimeve përfshi ato me grante europiane.
"Nuk janë vizitorët e thjeshtë por janë individë profesionistë të ankitetit që vijnë në Shqipëri dhe kanë interes të kuptojnë më shumë nga pamja vizuale dhe përmbajtesore siç është Tuma e Kamenicës. A bëhet mjaftueshëm në disa raste, bëhet. Por a duhet bërë me tepër? Patjetër. Investimet në kulturë kërkojnë pasion, vetëmohim, nuk të kthehet në pikëpamje ekonomike por kthehet në pikpamje të tjera”, tha Olsi Lafe.
Tuma e Kamenicës është një nga tumat më të mëdha e më të njohura deri më tani, ku janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke. Ky vendvarrim prehistorik është monument kulture i llojit arkeologjik ku janë zbuluar rreth 425 skelete dhe 3600 objekte.