Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se arsimi profesional po shënon rezultate pozitive dhe të prekshme në tregun e punës, duke u kthyer në një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në Kryeministri, Rama theksoi se të dhënat flasin për një rritje të ndjeshme të përfshirjes në arsimin profesional, si dhe për një nivel të lartë punësueshmërie të të rinjve që e ndjekin atë.
“Ndërkohë kemi të dhëna shumë pozitive edhe në një fushë tjetër që lidhet drejtpërdrejt me ekonominë, që është arsimi profesional. Kemi arritur në afro 20% të arsimit të mesëm të lartë, parauniversitar, duke shënuar një rezultat të ri pozitiv”, u shpreh Kryeministri.
Ai theksoi se elementi më i rëndësishëm mbetet punësueshmëria e nxënësve që ndjekin arsimin profesional.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet se punësueshmëria e nxënësve të arsimit profesional është shumë e lartë. Në vitin 2024, sepse për 2025-ën të dhënat dalin më pas, kemi pasur 63% përqindjen e të punësuarve nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional”, deklaroi Rama.