Një person arrin të rikuperojë $400,000 në Bitcoin falë Claude AI pas 11 vitesh mungesë aksesi
Në një kohë kur inteligjenca artificiale shpesh lidhet me humbje vendesh pune, gabime apo polemika ligjore, një histori e pazakontë po qarkullon si shembull pozitiv i fuqisë së saj praktike. Një përdorues i rrjetit X, me pseudonimin cprkrn, ka arritur të rikuperojë plot 5 Bitcoin, me vlerë rreth $400 mijë, pasi kishte humbur aksesin në portofolin e tij për më shumë se 11 vite.
Sipas rrëfimit të tij, ai kishte ndryshuar fjalëkalimin e portofolit në vitin 2014, në rrethana jo fort të kthjellëta, dhe më pas e kishte harruar plotësisht. Për vite me radhë, pasuritë digjitale mbetën të bllokuara, pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’i rikuperuar përmes mjeteve si btcrecover, që testuan triliona kombinime fjalëkalimesh pa sukses.
Kthesa erdhi vetëm pak javë më parë, kur cprkrn vendosi t’i drejtohej Claude AI, modeli gjuhësor i zhvilluar nga Anthropic. Duke i dhënë akses në të gjithë arkivin e kompjuterit të tij të vjetër universitar, AI-ja identifikoi një skedar portofoli nga dhjetori 2019, që përmbante çelësat privatë të nevojshëm për të hyrë në portofolin Blockchain.com.
Claude zbuloi gjithashtu një gabim në konfigurimin e fjalëkalimit, i cili kishte penguar kombinimin korrekt të çelësave. Pasi u korrigjua ky problem, portofoli u deshifrua dhe monedhat, të blera në vitin 2015 kur Bitcoin vlente rreth 250 dollarë, u zhvendosën për herë të parë pas një dekade.
Historia shërben si kujtesë se shumë pasuri të hershme në kriptomonedha mbeten ende të paarritshme për shkak të gabimeve njerëzore. Rasti i cprkrn duket i lumtur krahasuar me atë të James Howells, i cili humbi 8,000 Bitcoin pasi një hard disk përfundoi në landfill, një pasuri sot me vlerë qindra milionë dollarë.
The post Një person arrin të rikuperojë $400,000 në Bitcoin falë Claude AI pas 11 vitesh mungesë aksesi first appeared on Geek Room.

(@cprkrn)