Nga Pogradeci në laboratorët më të mëdhenj të Europës: Historia frymëzuese e Llazar Shkurtit

Nga brigjet e qeta të liqenit të Pogradecit drejt qendrave më prestigjioze të kërkimit shkencor në Europë, rrugëtimi i Llazar Shkurtit është një histori suksesi, përkushtimi dhe pasioni për shkencën. I lindur në vitin 2001 dhe i diplomuar me Medalje të Artë në vitin 2020, ai vendosi të ndjekë ëndrrën e tij në Gjermani, duke studiuar Biologji Qelizore dhe Biokimi në Jacobs University Bremen.

Që në vitet e gjimnazit në shkollën “Muharrem Çollaku” në Pogradec, Llazari u shqua si nxënës ekselent dhe fitues i disa olimpiadave në shkencat natyrore. Kureshtja për të kuptuar botën në nivel qelizor e shtyu drejt laboratorëve të kërkimit, ku sot merret me studime të avancuara në biologji dhe neuroshkencë.

Pas studimeve bachelor, ai u pranua në një nga programet më selektive të Europës, “Biomedical Neuroscience” në Technical University of Munich, ku pranohen vetëm 15–20 studentë nga e gjithë bota. Aktualisht, kërkimet e tij fokusohen te sëmundjet neurodegjenerative, përfshirë sklerozën amiotrofike, duke synuar të kontribuojë në zbulime që mund të ndryshojnë jetën e njerëzve.

Llazari thotë se suksesi i tij lidhet me një mënyrë studimi të zgjuar, përkushtim dhe ruajtjen e një balancë mes jetës akademike dhe asaj sociale. Ai beson se shkencat natyrore janë forca që e çon botën përpara dhe inkurajon të rinjtë të zgjedhin me kujdes lëndët si kimi, biologji dhe fizikë nëse duan të ndjekin një rrugë të ngjashme.

Megjithëse sot punon në laboratorët më modernë të Europës dhe ka publikuar kërkime që mbajnë emrin e tij, ai mbetet i lidhur fort me qytetin e lindjes. Në të ardhmen, Llazar Shkurti e sheh veten duke kontribuar edhe në Shqipëri, si pedagog dhe mentor për brezat e rinj që duan të ndjekin rrugën e shkencës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *