KUR BURRAT IKIN / Fshatrat pa burra: Gratë që mbajnë gjallë Kukësin

Në zonat malore të Kukësit, emigrimi masiv i burrave ka ndryshuar jetën e përditshme të familjeve. Gratë rrisin fëmijët, kujdesen për të moshuarit dhe mbajnë ekonominë familjare përmes bujqësisë e blegtorisë, ndërsa fshatrat po zbrazën nga të rinjtë.

Qyteti i Kukësit, pamje Pozitivi.org

Popullsia e Shqipërisë zvogëlohet çdo orë me 4 banorë, në krye të një dite ne jemi 91 shqiptarë më pak, ndërsa në një vit pakësohemi me plot 33 mijë banorë. Kështu mund të përmblidhet me një fjali rezultati i censusit të fundit në vitin  2023, që përllogariti popullsinë shqiptare. Shqiptarët po emigrojnë, gratë po lindin më pak fëmijë, të moshuarit po jetojnë më shumë, popullsia po tkurret. Shifrat ndryshojnë ndër vite, por jo trendi i pashmangshëm i rrudhjes dhe plakjes së popullsisë.

Për emigrimin duke marrë kryesisht si shembull Kukësin (që e ka pësuar më tepër) është folur shumë. Shifrat e largimeve, fshatrat që zbrazën dhe të rinjtë që kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit janë bërë pjesë e debatit publik prej vitesh.

Por shumë më pak vëmendje i është kushtuar atyre që mbeten pas. Në shumë fshatra të Kukësit janë gratë që mbajnë familjet dhe ekonominë e shtëpisë, duke përballuar çdo punë që emigrimi ka lënë bosh. Gratë mbajnë gjallë jetën e përditshme.

Gra dhe të moshuar sheh kudo edhe në shpatet e Bardhocit në Kukës, një fshat pranë kufirit me Kosovën. Atje ku mëngjesi nis me zhurmën e bagëtive dhe zërat e pakët të fëmijëve që luajnë pranë shtëpive të shpërndara në kodra.

Rrahime Dema, nga fshati Bardhoc i Kukësit

Çdo mëngjes nëpër fshat shfaqet edhe Rrahime Dema, rreth të shtatëdhjetave që ecën ngadalë pas tufës së deleve. Herë pas here ndalet dhe kthen kokën nga oborri ku nipërit e saj të vegjël luajnë pranë portës së shtëpisë.

Tre djemtë e saj janë në Gjermani. Ajo ka mbetur pas.  Bashkë me të në shtëpi kanë mbetur gratë, fëmijët dhe të moshuarit. “Kam shtatë fëmijë, katër vajza dhe tre djem. Të tre djemtë janë në emigracion. Unë merrem me punët e bujqësisë dhe me nipërit, ndërsa nuset i kam në shtëpi dhe merremi me punë të ndryshme,” thotë ajo.

Historia e nënë Rrahimes nuk është e veçantë në këtë zonë të veriut të Shqipërisë. Në shumë familje të Kukësit, emigrimi i burrave ka ndryshuar rrënjësisht jetën e përditshme. Gratë jo vetëm që rrisin fëmijët dhe kujdesen për të moshuarit, por mbajnë edhe ekonominë familjare përmes bujqësisë dhe blegtorisë. “Është e vështirë, sepse nuk ka punë,” thotë Rrahime Dema.

Fshatra që po zbrazen

Bardhoci është një nga fshatrat më të largët të Kukësit, pranë kufirit me Kosovën. Dikur këtu jetonin qindra banorë dhe fshati ishte plot jetë. Sot rrugët janë pothuajse të boshatisura. “Të rinj nuk ka këtu, nuk ka punë, nuk ka asgjë,” thotë Zaim Gërmizi, një nga banorët e mbetur në fshat.

Zaim Gërmizi, nga fshati Bardhoc i Kukësit

Ai tregon se edhe ata pak të rinj më shumë s’janë se sa janë: “Edhe ata që janë këtu shkojnë në Kosovë për punë. i paguajnë furgonin dhe ikin,” thotë ai. Në Bardhoc kanë mbetur kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. “Nëse bie një zjarr në fshat nuk gjendet asnjë i ri për ta fikur. Dalim vetëm ne pleqtë dhe gratë,” shton Gërmizi. Shtëpitë kanë humbur gjallërinë. Në shumë zona të Shqipërisë, dryni është bërë simbol i fshatrave që po boshatisen nga emigracioni.

Një tkurrje dramatike e popullsisë

Rrahman Dema, kryeplak i fshatit dhe ish-kryetar i komunës së Tërthores në Kukës, thotë se ndryshimi në fshat është drastik. “Dikur ky fshat gumëzhonte dhe kishte rini. Kishte rreth 500 banorë, sot nuk janë as 200. Pra është një tkurrje me rreth 60 për qind,” thotë ai.

Rrahman Dema, kryeplak i fshatit dhe ish-kryetar i komunës Tërthore, Kukës

Sipas Demës, mungesa e politikave zhvillimore dhe e mundësive për punë ka shtyrë të rinjtë drejt emigrimit: “Rinia ka marrë rrugët – Gjermani, Greqi, Kosovë. Shteti nuk ka vënë dorë”.

Sipas Censusit të Popullsisë 2023 – INSTAT, Kukësi është një nga qarqet që ka pësuar rënien më të madhe të popullsisë në Shqipëri.

Popullsia e qarkut ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit:

  • Census 2001 – 111,393 banorë
  • Census 2011 – 85,292 banorë
  • Census 2023 – 61,998 banorë

Kjo do të thotë se në më pak se 25 vite popullsia e qarkut është përgjysmuar. Në nivel kombëtar, Shqipëria ka humbur rreth 419,000 banorë nga viti 2011 deri në vitin 2023, sipas INSTAT. Popullsia e vendit pakësohet mesatarisht me rreth 33 mijë banorë në vit, kryesisht për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.

Gratë si shtylla e familjes

Nëse shëtit nga një fshat i Kukësit në tjetrin, ndryshon vetëm panorama. Jeta është e njëjtë. Në fshatin Shtiqen, mënyra e jetesës është e njëjtë. Të njëjtin fat me nënë Rrahimen ndan edhe Raze Cenaj.

Raze Cena, nga fshati Shtiqen i Kukësit

Ajo zgjohet para agimit dhe nis punët e shtëpisë. Kujdeset për tre fëmijët e mitur dhe jeton me prindërit e moshuar të bashkëshortit, ndërsa ky i fundit është në emigrim.  “Zgjohem në mëngjes për të bërë punët e shtëpisë dhe për fëmijët,” thotë ajo. Edhe pse bashkëshorti i saj udhëton shpesh drejt Greqisë për punë sezonale, të ardhurat nuk janë të mjaftueshme. Familja mbështetet kryesisht tek prodhimet blegtorale dhe ndihma ekonomike. “Ne marrim rreth 93,000 lekë ndihmë (të vjetra),” thotë ajo. Në shumë zona rurale të Shqipërisë, bujqësia mbetet një nga sektorët kryesorë ku angazhohen gratë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në raportin “Gra dhe Burra 2025”, rreth 41% e grave të punësuara në Shqipëri punojnë në sektorin e bujqësisë, shumë prej tyre në ekonomi familjare.

Ekonomia që mbahet nga emigracioni

Për shumë familje në Kukës dhe në zona të tjera rurale të Shqipërisë, emigracioni mbetet burimi kryesor i të ardhurave. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, emigrantët shqiptarë dërgojnë çdo vit mbi 1 miliard euro remitanca drejt familjeve të tyre në vend. Vetëm gjatë vitit 2024, këto dërgesa kaluan kufirin e 1.05 miliardë eurove, duke shënuar një nga nivelet më të larta të regjistruara deri tani.  Këto para përdoren kryesisht për shpenzime bazë – ushqim, shëndetësi, arsim dhe për mbajtjen e familjeve që kanë mbetur në vend. Në shumë zona rurale si Kukësi, remitancat shpesh zëvendësojnë mungesën e mundësive të punësimit dhe mbeten një nga burimet më të qëndrueshme të të ardhurave për familjet. Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve të INSTAT, rreth 37% e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar që jeton jashtë vendit, ndërsa vlerësohet se mbi 1.6 milionë shqiptarë jetojnë aktualisht në emigracion. Për shumë familje në veri të vendit, këto para nuk janë vetëm ndihmë financiare, por shpesh garancia kryesore për të përballuar jetën e përditshme. Në disa zona rurale, remitancat janë bërë një nga shtyllat kryesore që mban ekonominë familjare.

Shkollat që po mbyllen

Pasojat e emigracionit janë të dukshme edhe në sistemin arsimor të Kukësit. Në dekadën e fundit në qark janë mbyllur 48 shkolla në 10 vitet e fundit, ndërsa numri i nxënësve është pothuajse përgjysmuar. Në disa zona rurale rënia e lindjeve është bërë edhe më e dukshme. Në shtatë fshatrat e njësisë Shishtavec janë regjistruar vetëm 11 lindje gjatë periudhës 2019–2023, duke treguar një rënie të thellë demografike.

Barra mbi gratë

Sipas Vera Istrefit nga Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale në Kukës, emigrimi ka ndryshuar ndjeshëm rolin e grave në familje. “E gjithë barra për mbajtjen e familjes dhe për rritjen e fëmijëve bie mbi gratë,” thotë ajo. Sipas saj, gratë shpesh mbajnë njëkohësisht disa role: kujdestare për fëmijët, për të moshuarit dhe punëtore në bujqësi. Por Istrefi paralajmëron se pasojat sociale të emigracionit mund të bëhen edhe më të dukshme në të ardhmen. “Ne po shohim vetëm majën e ajsbergut të kësaj problematike sociale. Me kalimin e kohës, lidhja ekonomike e emigrantëve me familjet mund të dobësohet dhe problemet do të bëhen edhe më të mëdha,” thotë ajo.

Vera Istrefit, Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale, Kukës

Me ose pa dëshirë, këtë rol e kanë marrë gra si nëna Rrahime dhe nuset e saj.  Kur kthehet në darkë në shtëpi së bashku me bagëtitë, e presin nuset e djemve që kanë mbajtur kullën, fëmijët dhe bujqësinë.

Ndërsa burrat janë larg në emigracion, këto gra vazhdojnë të mbajnë familjet dhe fshatrat gjallë — edhe pse shumë prej këtyre komuniteteve po zbrazën çdo vit e më shumë.

Burimet: ASK; World Bank; UN Women; OSCE; BQK; INSTAT

This story has been produced with the financial assistance of the European Union. The contents of this story are the sole responsibility of team of journalists who produce it and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *