KUR BURRAT IKIN / Në Kosovë ku 4 në 5 gra zgjedhin profesionin “shtëpiake”

Në Kosovë emigrimi dhe mungesa e punësimit po sjell tjetërsimin e familjeve dhe të roleve brenda saj. Burrat po zgjedhin në masë emigrimin! Gratë mbeten pas! Ato mbartin përgjegjësitë për shtëpinë, fëmijët, të moshuarit e në zonat rurale edhe punët në bujqësi. E kjo punë e papaguar nuk përfshihet në asnjë statistikë. Ligjërisht ato rezultojnë thjesht: TË PAPUNA.

Saranda Çelaj Pervizaj, nënë e 3 fëmijëve

“Pa punë” është Saranda Çelaj Pervizaj, që jeton në një shtëpi në rrethinat e Prizrenit. Ajo e nis ditën para se të lindë dielli. Tre vajzat e saj kërkojnë vëmendje, ndërsa punët e shtëpisë nuk mbarojnë kurrë. Bashkëshorti i saj punon jashtë vendit. “Kur burrat shkojnë në kurbet, për ne nënat bëhet më e vështirë. Duhet të merresh me gjithçka – me shtëpinë, me fëmijët,” tregon ajo. Për Sarandën ky është thjesht rrëfim, nuk ka doza ankese nën zë.  Pasi çon fëmijët në shkollë, Saranda thotë se merret edhe me punë të vogla për të ndihmuar ekonominë e familjes: “Merrem me qëndisje të veshjeve tradicionale të Hasit ose qep me makinë qepëse,”.  Histori të ngjashme gjen shumë në fshatrat e Prizrenit, atje ku është kthyer në normalitet që gratë të mbajnë familjet ndërsa burrat të punojnë jashtë vendit.

Një fenomen i kudondodhur

Sipas aktivistes Tringa Kasemi nga Prizreni, shpopullimi është tashmë fenomen i gjithëpranuar si një normalitet i ri: “Kosova po përballet me shpopullimin. Si një vend i vogël nuk mund të përballojë të mbetet kaq shpejt pa njerëz”.

Tringa Kasemi, aktiviste nga Prizreni

Sipas saj, vendimi për emigrim shpesh merret nga burrat: “Në përgjithësi është burri i shtëpisë ai që vendos nëse familja do të qëndrojë apo jo në Kosovë”. Megjithatë po vetë e justifikon këtë vendim si të lidhur me situatat financiare. “Kushtet ekonomike po bëhen çdo ditë e më të papërballueshme,” shton ajo. Edhe zyrtarisht sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), emigrimi vazhdon të jetë një fenomen i rëndësishëm demografik.  Që nga viti 2021 deri në vitin 2024, mbi 142 mijë qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve më të zhvilluara në kërkim të një jete më të mire. Vetëm në vitin 2024  37,451 emigrantë u larguan nga Kosova, ndërsa popullsia rezidente e vendit vlerësohet rreth 1 milionë e 585 mijë banorë.

Vetëm një në pesë gra është aktive në tregun e punës

Gra që punojnë por nuk paguhen. Punët e tyre janë kryesisht brenda shtëpisë. E kjo është një nga sfidat më të mëdha sociale në Kosovë. Sipas Bankës Botërore rreth  20% e grave janë aktive në tregun e punës. Kjo do të thotë se rreth një në pesë gra punon ose kërkon punë. Ndërsa Strategjia-e-punesimit-2024-2028 saktëson  se pjesëmarrja e burrave në tregun e punës është rreth 55%. Në total, pjesëmarrja e popullsisë së moshës 15–64 vjeç në tregun e punës është vetëm 38.6%. E këto shifra kuptohen më lehtë kur krahasohen me publikimet e Eurostat që tregojnë se mesatarja e pjesëmarrjes në tregun e punës në Bashkimin Europian është rreth 74%. Sipas analizave të Bankës Botërore, pjesëmarrja e ulët e grave lidhet me mungesën e çerdheve publike, mundësive të kufizuara për punë dhe normave tradicionale që ua lënë grave përgjegjësinë kryesore për kujdesin ndaj familjes.

Qyteti i Prizrenit, pamjet Pozitivi.org

Puna e padukshme

Megjithatë, këto statistika nuk e tregojnë të gjithë historinë. Në realitet, shumë gra punojnë çdo ditë brenda familjes duke kryer punë që nuk paguhet dhe nuk llogaritet si aktivitet ekonomik. “Gratë vazhdojnë të merren me punët e shtëpisë dhe me kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit. Kjo punë nuk shihet dhe nuk vlerësohet,” thotë aktivistja Tringa Kasemi. E jo vetëm kaq, shumë nga politikat sociale dhe infrastruktura publike nuk e bëjnë më të lehtë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Sipas aktivisteve për të drejtat e grave, edhe kur duan të punojnë gratë shpesh e kanë të pamundur. Kopshte dhe çerdhe ka shumë pak ose janë shumë të shtrenjta, ndërsa nëse shkojnë në punë, kur kthehen në shtëpi barra bëhet e dyfishtë. E kjo barrë nuk mbaron te fëmijët, shtëpia apo bujqësia por në shuëm raste kanë deytrim edhe për të moshuarit e familjes së madhe. Sipas të dhënave 60% e grave joaktive në tregun e punës nuk kërkojnë punë për shkak të përgjegjësive familjare. Studimet e UN Women dhe World Bank tregojnë se gratë në rajon kalojnë mesatarisht 4–6 orë në ditë duke bërë punë të papaguar. Në Kosovë, gratë kryejnë edhe dyfishin e punës së papaguar familjare krahasuar me burrat.

Qyteti i Prizrenit, pamjet Pozitivi.org

Pronësia e grave mbetet shumë e ulët

Në një kohë kur puna dhe përgjegjësitë ndahen mes bashkëshortëve me një ngarkesë të plotë, e njëjta gjë nuk ndodh kur flitet për pronësinë – një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në fuqizimin ekonomik të grave.

Sipas OSCE, vetëm 19–21% e pronave në Kosovë janë në emër të grave.

Në disa studime është gjetur se më pak se  5% e tokës bujqësore është në pronësi të grave. Megjithëse ligji garanton barazi në trashëgimi, shumë gra vazhdojnë të heqin dorë nga pjesa e tyre e trashëgimisë në favor të vëllezërve ose të afërmve meshkuj. Madje, studime mbi të drejtat e pronësisë tregojnë se rreth 45% e grave që hyjnë në proces formal trashëgimie heqin dorë nga pjesa e tyre, shpesh për shkak të presionit familjar dhe normave tradicionale.

Qyteti i Prizrenit, pamjet Pozitivi.org

Remitancat që mbajnë familjet

Emigracioni për shumë familje është njëkohësisht edhe mallkim, edhe bekim. Edhe në Kosovë, në shumë familje ekonomia e përditshme mbështetet te paratë që dërgojnë emigrantët. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, remitancat nga diaspora arritën rreth 1.34 miliardë euro në vitin 2023. Kjo përbën rreth 14–15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Këto para përdoren kryesisht për shpenzime bazë si ushqimi, shëndetësia dhe edukimi i fëmijëve. Në shumë zona rurale, remitancat mbeten një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e konsumit dhe stabilitetit ekonomik të shumë familjeve.

Shpopullimi në shkolla

Shpopullimi është i dukshëm edhe në shkolla. Hemë Çoçaj, drejtues i shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajkë të Prizrenit, thotë se numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm.

Hemë Çoçaj, drejtues i shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajkë të Prizrenit

“Nëse krahasojmë me vitet pas luftës, sot kemi rreth 30 për qind më pak nxënës,” thotë ai. Ndërkohë, trendi i shpopullimit pritet të thellohet edhe më tej, në një kohë kur numri i lindjeve në Kosovë ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Nga rreth 33,000 lindje në vitin 2010, numri i lindjeve ka rënë në 21,654, lindje në vitin 2023.

Shqipëria dhe Kosova: I njëjti fenomen

Fenomeni i emigrimit dhe i barrës së familjes mbi gratë nuk është i kufizuar vetëm në Kosovë. Një realitet i ngjashëm shihet edhe në Shqipëri, veçanërisht në zonat veriore si Kukësi, emigrimi ka lënë pas familje ku gratë mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësive për familjen dhe ekonominë e shtëpisë. Sipas INSTAT, rreth 41% e grave të punësuara në Shqipëri punojnë në sektorin e bujqësisë, shpesh në biznese familjare. Megjithatë në të dy vendet një realitet mbetet i përbashkët: gratë shpesh mbajnë familjet ndërsa burrat emigrojnë.

Një e ardhme që varet nga punësimi

Sipas Çoçajt, punësimi mbetet faktori kryesor që mund të ndalë largimin e njerëzve nga vendi. “Nëse do të kishte më shumë punësim, njerëzit do të qëndronin,” thotë ai. Sipas tij, mungesa e industrisë dhe e bizneseve të mëdha në shumë zona të Kosovës ka kufizuar mundësitë për punë: “Bizneset e vogla janë shumë të vogla për të krijuar vende të reja pune”.

Ndërkohë, për shumë familje si ajo e Sarandës, jeta vazhdon mes kujdesit për fëmijët dhe përpjekjes për të mbajtur familjen. Edhe pse përballet çdo ditë me sfidat e jetës pa bashkëshortin pranë, ajo shpreson se një ditë do të ketë më shumë mundësi për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme për familjen e saj.

Burimet: ASK; World Bank; UN Women; OSCE; BQK; INSTAT

This story has been produced with the financial assistance of the European Union. The contents of this story are the sole responsibility of team of journalists who produce it and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *