Gazetarja që ndjek “krimet pa zë” — Lindita Çela dhe betejat mjedisore në Shqipëri
Dokumente që nuk dorëzohen.
Harta që ndryshojnë pa zhurmë.
Zona të mbrojtura që zhduken me një firmë.
Për Lindita Çelën, gazetare investigative dhe themeluese e portalit shteg.org, mjedisi nuk është një temë “e butë”. Është një fushë ku takohen korrupsioni, vendimmarrjet politike dhe pasojat që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. “Para se të jemi gazetare, jemi qenie humane. Mjedisi është ai që na jep jetë,” thotë ajo. Por përvoja e saj në raportimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e ka çuar drejt një përfundimi të qartë: mjedisi shpesh është pika ku bashkohen interesat më të mëdha ekonomike dhe mungesa e transparencës.

Nga HEC-et te aeroporti i Vlorës: Kur zhvillimi përplaset me natyrën
Ajo kujton periudhën kur lejet për ndërtimin e hidrocentraleve u dhanë masivisht. “Kam takuar njerëz që sot e kësaj dite bëjnë protestë sepse iu merret uji. Uji është jeta e tyre.” Sipas saj, në shumë projekte që promovohen si zhvillim ekonomik — resorte turistike, hidrocentrale, aeroporte — përfituesit realë nuk janë komunitetet lokale. Rasti i aeroportit të Vlorës është një nga historitë që ajo e konsideron më domethënëse. “Duhej t’i provoja editorit tim që zona e Nartës ishte hequr nga harta e zonave të mbrojtura. Ishte tmerrësisht sfiduese, sepse mungonte hartëzimi, pikëzimi.” Në vitin 2021, raportimi për aeroportin u shoqërua me debat publik dhe më pas me një proces hetimor. Çela tregon se verifikimi i koordinatave dhe krahasimi i hartave historike ishte kyç për të ndërtuar historinë. “Vendimmarrjet merreshin vetëm me firmë. Deri sa gjetëm një ekspert që bëri hartëzimin dhe vërtetuam si kishin ndryshuar hartat.”

“Çështjet mjedisore ulërasin pa zë”
Sipas saj, sfida më e madhe e gazetarisë mjedisore është se këto histori nuk shpërthejnë menjëherë. “Nëse krimi bërtet, çështjet mjedisore ulërasin pa zë. Duhet të kesh vesh për t’i dëgjuar.” Ajo thekson se Shqipëria në letër ka miratuar konventa dhe ligje të avancuara për mbrojtjen e mjedisit, por problemi qëndron te zbatimi dhe vendimmarrja. Një shembull konkret është impianti i ujërave të ndotura në Tiranë. “Zyrtarisht janë shpenzuar 100 milionë euro. Ekzistojnë gërmadhat e një impianti në Kashar, por nuk funksionon.” Sipas saj, pengesa kryesore te ky investigim ishte sigurimi i dokumenteve. “Asnjë nga institucionet nuk na siguroi kontratat. Çdo dokument që lidhet me një aferë bëhet pothuajse i pamundur për t’u marrë.” Gazetarët mund të ankimojnë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por rruga përfundon shpesh në gjykatë — një proces që kërkon kohë. “Gazetari nuk e ka kohën pa fund. Mund t’i marrë dokumentet, por historia mund të mos jetë më e momentit.”

Transparenca si kusht, jo luks
Çela thekson rëndësinë e aksesit në informacion mjedisor, një parim i sanksionuar edhe në legjislacionin europian. “Shtetet duhet të sigurojnë që informacioni mjedisor të jetë i disponueshëm për çdo kërkues, pa pasur nevojë të tregojë interes.” Megjithatë, sipas saj, projektet me sasi të konsiderueshme parash dhe vendimmarrje të diskutueshme shpesh klasifikohen si “sekrete”. “Transparenca është thelbësore. Nëse do të ishte e plotë, ndoshta shumë vendime me pasoja afatgjata do të rishikoheshin.”
Gratë dhe impakti i mjedisit
Në intervistë, ajo ndalet edhe te dimensioni gjinor. “Në bujqësi, pjesën më të madhe të punës e kryejnë gratë. Kam parë gra që mbajnë ujin në krah për të mbajtur prodhimin gjallë.” Sipas saj, mjedisi ndikon më drejtpërdrejt gratë në zonat rurale, për shkak të strukturës sociale dhe rolit tradicional në familje. “Gruaja kujdeset për të ardhmen. Kjo e bën më sensitive ndaj çështjeve mjedisore.”
Gazetari përballë frikës dhe heshtjes
Një tjetër vështirësi është mungesa e ekspertëve që pranojnë të flasin publikisht. “Ekspertët të thonë ‘kështu është situata’, por refuzojnë të dalin publikisht. Dhe gazetari mbetet me pyetjen: Çfarë ekspertize kam unë?” Megjithatë, ajo mbetet e bindur se gazetaria investigative është thelbësore për të nxjerrë në dritë këto histori. “Detyra e gazetarit është ta provojë. Edhe kur duket e pamundur.”
Një histori që solli lëvizje
Rasti i aeroportit të Vlorës mbetet një nga shkrimet për të cilin ajo ndihet më mirë. “Solli një lëvizje aktive, solli ndërgjegjësim.” Sipas saj, roli i gazetarit është të informojë dhe të ekspozojë faktet; më pas janë organizatat dhe strukturat e tjera që duhet të vazhdojnë advokacinë.
Kjo është historia e radhës në projektin
“Histori me ndikim / Klima (nuk) njeh gjini”, projekt i zbatuar nga organizata Infinit+.
Intervista e plotë në Youtube
—
Ky projekt mbështetet nga GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, i cili financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.