Një “play” nuk është falas: Sa energji shpenzon brezi që jeton online?

Ne e mendojmë internetin si diçka të lehtë. Një video hapet menjëherë. Një mesazh dërgohet në sekondë. Një “scroll” dhe bota ndryshon.

Por pas çdo klikimi ndodh një proces i padukshëm që kërkon energji reale.

Energjia digjitale nuk është abstrakte. Ajo është energji elektrike që përdoret nga servera, rrjete transmetimi dhe qendra të të dhënave që punojnë 24 orë në ditë për ta mbajtur internetin funksional.

Dhe Shqipëria, me një brez të ri pothuajse gjithmonë online, është pjesë aktive e këtij realiteti.

Sa online jemi në Shqipëri – dhe pse shifrat duken konfuze?

Sipas raportit Digital 2024 – Albania, në fillim të vitit 2024 rreth 2.43 milionë njerëz në Shqipëri përdorin internetin, që përbën rreth 85.8% të popullsisë.

Por këtu lind një pyetje e arsyeshme:
Si mund të jenë 2.43 milion përdorues 85.8%, kur Censusi 2023 i INSTAT raporton rreth 2.4 milion banorë rezidentë?

Shpjegimi është metodologjik: DataReportal përdor vlerësime të popullsisë nga burime ndërkombëtare (si OKB), të cilat për vitin 2024 e llogarisin popullsinë e Shqipërisë rreth 2.8–2.9 milion banorë. Ndërsa Censusi 2023 llogarit popullsinë rezidente në territor.

Pra, përqindja 85.8% i referohet popullsisë së vlerësuar me shifrat mw tw fundit para censusit tw ri, jo vetëm popullsisë rezidente të regjistruar nga census I fundit.

Çfarë tregon kjo në thelb? Që shumica dërrmuese e shqiptarëve janë online. Sipas INSTAT – ICT Usage in Households and by Individuals 2024, rreth 86% e individëve 16–74 vjeç përdorin internet rregullisht. Tek të rinjtë (16–29 vjeç), përdorimi është pothuajse i përditshëm dhe shumë intensiv, sipas analizave rajonale të Eurostat. Kjo do të thote qw brezi i ri shqiptar “jeton” online.

Çfarë ndodh kur hapim një video?

Kur hap një video në TikTok, YouTube apo Netflix:

  • Telefoni yt përdor energji,
  • Modemi dhe rrjeti përdorin energji,
  • Qendra e të dhënave që ruan videon përdor energji,
  • Rrjetet ndërkombëtare e transmetojnë atë përmes kabllove globale.

Sipas raportit të International Energy Agency – Digitalisation and Energy, data centers dhe rrjetet e transmetimit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të konsumit global të energjisë elektrike.

Ndërkohë, analiza e World Economic Forum – The carbon impact of streaming thekson se video online përbën pjesën më të madhe të trafikut global të internetit. Sa më shumë video transmetohen, aq më shumë punojnë serverët. Energjia që përdoret nuk është virtuale. Është energji elektrike e prodhuar realisht.

Edhe kur pajisjet janë “fikur”

Shumë pajisje vazhdojnë të konsumojnë energji edhe kur duken të fikura. Sipas U.S. Department of Energy – Standby Power, pajisjet në standby konsumojnë energji në sfond për përditësime, lidhje interneti dhe ruajtje memorieje. Kjo quhet shpesh “phantom energy”. Do të thotë se energjia digjitale konsumohet edhe kur ne mendojmë se nuk po përdorim asgjë.

Po Shqipëria, si ndikohet?

Shqipëria ka një sistem energjetik të ndjeshëm ndaj kushteve klimatike, pasi një pjesë e madhe e prodhimit vjen nga hidrocentralet. Thatësirat apo reshjet ndikojnë drejtpërdrejt në prodhim. Raporti i Regional Cooperation Council – Green Agenda and Energy Infrastructure thekson nevojën për modernizim të infrastrukturës energjetike në Ballkanin Perëndimor dhe përshtatje ndaj kushteve ekstreme klimatike. Kjo do të thotë se rritja e kërkesës për energji — përfshirë energjinë digjitale — lidhet me një sistem që është ende në tranzicion.

A mësohet kjo në shkolla?

Projekte si UNESCO – Albania Digital Education Project kanë sjellë laboratorë digjitalë dhe trajnime për mësuesit në qindra shkolla. Por ndërsa teknologjia po futet në arsim, edukimi mbi ndikimin energjetik të përdorimit digjital nuk është ende pjesë e strukturuar e kurrikulës. Ne mësojmë si të përdorim teknologjinë. Por rrallë mësojmë si ta përdorim me përgjegjësi energjetike.

Çfarë mund të bëjmë konkretisht?

  • Fikja e plotë e pajisjeve kur nuk përdoren
  • Përdorimi i Wi-Fi në vend të të dhënave mobile kur është e mundur
  • Shkarkimi i përmbajtjeve për përdorim offline
  • Mbështetja e politikave për energji të rinovueshme

Janë hapa të vegjël. Por energjia digjitale përbëhet nga miliarda hapa të vegjël. Energjia nuk është vetëm prizë. Nuk është vetëm dritë. Është edhe scroll. Është edhe video. Është edhe “play”. Dhe në një vend ku mbi 85% e popullsisë është online, ndërgjegjësimi për energjinë digjitale nuk është luks — është nevojë.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *