Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim ditën e sotme mbi ndalimin e platformës së rrjeteve sociale TikTok që u realizua 1 vit më parë nga qeveria e vendit. Sipas këtij vendimi zyrtar, mbyllja e TikTok konsiderohet se ka cenuar të drejtën për lirinë e shprehjes të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata theksoi se çdo kufizim i tillë duhet të jetë proporcional dhe i arsyetuar, ndërsa ka gjetur se vendimi administrativ i qeverisë për ndalimin është i papajtueshëm me këto standarde kushtetuese. Me këtë vendim, qasja në platformat e kësaj kompanie u rikthye për qytetarët, duke hedhur poshtë pjesërisht argumentet e qeverisë që e mbështeti mbylljen e saj.
Vendimi i Kushtetueses ka ngjallur reagime të forta në skenën politike shqiptare. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozita e kanë përshëndetur atë si një fitore për mbrojtjen e lirive themelore dhe një sinjal për kufizimin e mbikëqyrjeve të tepruara administrative ndaj medias online. Zëra kritikë kanë theksuar se masa e qeverisë mund të shërbente si një precedent i rrezikshëm për censurë në të ardhmen, duke ndikuar negativisht në hapësirën e lirë të shprehjes dhe qasjes së qytetarëve ndaj informimit.
I menjëhershëm ishte dhereagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në një postim në platformën X, ai ironizoi vendimin e Gjykatës, duke thënë se sipas këtij vendimi “Gjykata Kushtetuese mendon se 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok-ut”. Rama argumentoi se mbyllja e përkohshme kishte ndihmuar që kompania të ndërmerrte masa shtesë për kontrollin e përmbajtjes, duke ofruar një kontekst më të sigurt për përdoruesit, dhe se vendimi i GJK-së mund të inkurajojë “shpifësit” në vend. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se rihapja e aplikacionit erdhi si rezultat i mirëkuptimit të kompanisë dhe ndryshimeve të ndërmarra prej saj.
Megjithatë, edhe pse TikTok ka qenë i aksesueshëm prej disa javësh tashmë, nuk kemi ende një njoftim publik mbi masat e sigurisë të ndërmarra nga ana e qeverisë apo TikTok.
The post Gjykata Kushtetuese e cilëson mbylljen e TikTok në Shqipëri si “cenim i lirisë së shprehjes” first appeared on Geek Room.