Sonte qytetarë të shumtë janë mbledhur në zonën e quajtur “Obelisku” për të bërë homazhe në kujtim të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj. Historia e saj, e mbushur me dhunë, përpjekje për të nisur nga e para dhe një fund të dhimbshëm, ka prekur thellë komunitetin.
![]()
Sipas të afërmve, Xhuana kishte vendosur të largohej nga e kaluara dhe të ndërtonte një jetë të re në Tiranë. Madje, vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë ajo pritej të niste një punë të re. Një e afërme e saj tregoi për mediat se e reja kishte zgjedhur të largohej në heshtje nga dhimbja dhe të mos u bëhej barrë familjarëve të saj.
“Xhuana është një nga viktimat që ndodhin shpesh herë këtu. Na ka rënë si bombë. Nuk ka shprehur shqetësime. Menduam se ajo mos kishte kaluar në depresion meqë kishte 3 muaj që ishte ndarë prej tij, menduam shumë gjëra. Por nuk ishte asnjë nga ato. Kjo na vjen keq. Nga i ka ardhur rrethana, si i ka ardhur. Ajo ka jetuar me shoqe atje. Kur ka shprehur shqetësime te familja e vet ajo, familja ka shkuar në famijen e tyre dhe e kanë marrë vajzën. I kanë thënë ‘për këto arsye do ta marrim vajzën’ dhe ata nuk kanë kundërshtuar. Pastaj më mbrapa shkoi në Tiranë për të jetuar aty. Një ditë më pas do të fillonte punë. Po e shikonte me një këndvështrim tjetër jetën. Kam 1 mijë mesazhe për gratë dhe vajzat, që të mos heshtin, por të flasin. Ka ndryshuar ajo kohë, tani janë të lira”, tha ajo.
Sipas dëshmive dhe informacioneve të bëra publike, historia mes Xhuana Nikollajt dhe ish-bashkëshortit të saj Eraldo Fizi kishte nisur si një histori e gjatë dashurie që u kurorëzua në martesë verën e vitit të kaluar. Por martesa zgjati vetëm tre muaj dhe, sipas raportimeve, gjatë kësaj kohe 25-vjeçarja përjetoi dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike.
Pas ndarjes, Xhuana kishte tentuar të rindërtonte jetën e saj. Ajo jetonte në Tiranë me një shoqe dhe punonte, ndërsa përpiqej të shkëputej përfundimisht nga e kaluara. Megjithatë, një takim i fundit me ish-bashkëshortin, i cili ishte kthyer nga Italia më 9 mars, dyshohet se përfundoi në një episod të rëndë dhune.
Sipas dëshmisë së shoqes me të cilën jetonte, Xhuana ishte kthyer në banesë rreth orës 3 të mëngjesit me shenja të dukshme dhune, deri në nofull të thyer. Në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, e reja më pas konsumoi fostoksinë.
Edhe në momentet e fundit të jetës, 25-vjeçarja arriti të flasë për atë që kishte përjetuar. Ajo u transportua drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, sipas raportimeve, mundi të rezistojë për rreth dy orë dhe të deklarojë se personi që i kishte shkaktuar dhunën ishte ish-bashkëshorti i saj.
Një tjetër element që po hetohet është edhe një letër që Xhuana kishte lënë pas. Në të ajo shkruante: “Nuk mund të lejoj të më dëmtojnë më shumë, prandaj ju kërkoj falje”, një mesazh që, sipas raportimeve, përdor formën në shumës dhe ka ngritur dyshime se presioni mund të ketë ardhur edhe nga persona të tjerë.
Ndërkohë, ekspertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar pistën e një shtatzënie të mundshme, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se nuk kishte pasur një denoncim të mëparshëm për dhunë në polici nga ana e familjarëve apo e vetë 25-vjeçares.
Policia ka shpallur në kërkim Eraldo Fizin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ndërsa sonte qytetarë të shumtë ndezin qirinj në Lezhë për Xhuana Nikollajn, historia e saj mbetet një plagë e hapur dhe një thirrje e fortë për reflektim mbi dhunën që shumë gra përjetojnë në heshtje. Ajo ishte vetëm 25 vjeç, studente e Drejtësisë, një vajzë me ëndrra dhe plane për një fillim të ri, që kishte vendosur të niste jetën nga zeroja në Tiranë.
The post Homazhe sonte në Lezhë për Xhuana Nikollajn, 25-vjeçarja nuk donte t’u bëhej barrë familjarëve; po niste jetën nga zero në Tiranë appeared first on iconstyle.al.
