Kryendeshja e “Abissnet Superiore” Egnatia-Vllaznia, kuqeblutë kërkojnë reagim në Rrogozhinë

Një ditë para përballjes në transfertë ndaj kampionëve të Egnatias, Vllaznia synon të lërë pas humbjen e fundit në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe të rikthehet te fitorja në një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 28-të të “Abissnet Superiore”.

Optimist për këtë përballje u shfaq mbrojtësi shkodran Elmando Gjini, i cili në konferencën për mediat theksoi se skuadra është e vetëdijshme për vështirësinë e kampionatit, por objektivi mbetet i qartë: ruajtja e vendit të parë në renditje. Sipas tij, ekipi do të kërkojë me çdo kusht tre pikët në Rrogozhinë.

Gjini u ndal edhe te shorti i Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia do të përballet me Dinamon në gjysmëfinale, duke u shprehur optimist për vazhdimin e rrugëtimit edhe në këtë kompeticion.

Sa i përket të ardhmes së tij, mbrojtësi shkodran vazhdon të jetë pjesë e Ballkanit të Kosovës, por aktualisht aktivizohet me Vllazninë në formë huazimi. Ai u shpreh se ekziston mundësia që klubi shkodran ta blejë kartonin e tij, një skenar që përkon edhe me dëshirën e vetë futbollistit për të vijuar me ngjyrat kuqeblu.

Statistikat mes dy skuadrave tregojnë një balancë të plotë. Në 15 përballjet e fundit zyrtare mes Egnatias dhe Vllaznisë, të dy ekipet kanë nga pesë fitore secila dhe pesë barazime, ndërsa golavarazhi është 20-15 në favor të kampionëve në fuqi.

Kryendeshja e javës së 28-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia–Vllaznia, do të luhet të premten në orën 19:00 në stadiumin e Rrogozhinës.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *