Eurovision ka publikuar videoklipin zyrtar të këngës “Nan”, interpretuar nga Alis, që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 70-të të Eurovision Song Contest, i cili këtë vit zhvillohet në Vjenë të Austrisë.
Videoklipi është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovision në YouTube dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze, për ta bërë mesazhin e këngës më të kuptueshëm për publikun ndërkombëtar.
Kënga interpretohet në gjuhën shqipe dhe spikat për kombinimin e fuqisë vokale dhe emocioneve të thella artistike që sjell në skenë Alis. Artisti shqiptar do të ngjitet në skenën e Eurovision në natën e dytë gjysmëfinale, më 14 maj 2026.
“Nan” u shpall fituese e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, në fund të vitit 2025, duke u vlerësuar për interpretimin unik dhe mesazhin universal mbi dashurinë dhe lidhjen familjare.
Me publikimin e videoklipit zyrtar, Shqipëria synon të prezantohet me një performancë të fortë dhe emocionuese në një nga skenat më të mëdha të muzikës europiane.
