Njihuni me fituesin e RedBull Basement Albania 2026

Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua Red Bull Basement, iniciativa globale në bashkëpunim me AMD, Miscrosoft dhe Red Bull Ventures dedikuar studentëve që kanë ide inovative në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes. Në edicionin shqiptar u paraqitën 104 ide, pjesë e një komuniteti prej gati 100,000 idesh të dorëzuara nga e gjithë bota në këtë program.

Nga të gjitha aplikimet në Shqipëri, 10 finalistë u përzgjodhën për të prezantuar idetë e tyre përpara jurisë dhe publikut. Gjatë finales, pjesëmarrësit patën mundësinë të shpalosnin edhe një herë projektet e tyre, duke iu përgjigjur pyetjeve të jurisë dhe të pranishmëve mbi zhvillimin, potencialin dhe ndikimin që idetë e tyre mund të kenë në të ardhmen.

Eventi u moderua nga Brenton Bënja, themelues i Geek Room ndërsa juria përbëhej nga Sonja Alushi, Arber Kadia dhe Emiliano Mankolli. Pas prezantimeve finale dhe një diskutimi të shkurtër mes projekteve më të mira, juria arriti të përzgjedhë fituesin nga 5 idetë finaliste, duke u bazuar në kriteret kryesore të inovacionit, ndikimit dhe potencialit për të sjellë ndryshim real.

Fituesi i Red Bull Basement Albania u shpall projekti Ecentic, i krijuar nga dy studentët Xhurian Shaba dhe Iseld Muca. Me këtë fitore, ata do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen globale që do të zhvillohet në Silicon Valley, në San Francisco, ku do të përballen me finalistë nga rreth 40 shtete të botës dhe do të kenë mundësinë të konkurrojnë për një çmim prej 100,000 dollarësh.

“Jam shumë optimist për idenë tonë dhe jemi shumë të emocionuar që do të përfaqësojmë Shqipërinë mes 40 shteteve të tjera të botës. Mendojmë që është një eksperiencë unike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të çuar përpara projektin tonë.”

Xhurian Shaba

Red Bull Basement u ofron studentëve të moshës 18–24 vjeç mundësinë për të zhvilluar idetë e tyre përmes teknologjisë, mentorimit dhe një platforme globale, duke i lidhur me një komunitet ndërkombëtar inovatorësh dhe krijuesish që synojnë të sjellin zgjidhje të reja për sfidat e së ardhmes.

The post Njihuni me fituesin e RedBull Basement Albania 2026 first appeared on Geek Room.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *