Deputeti socialist i Mallakastrës, Klevis Jahaj ka ndarë një mesazh të ndjerë urimi për nënën e tij, në këtë ditë të veçantë për të gjithë mësuesit në Shqipëri. Ajo ka edukuar breza të tërë në Mallakastër, por ka qenë për disa vite edhe mësuese e Klevisit.
“Gëzuar 7 Marsin mam! Sot është një ditë mirënjohjeje për ata që me durim, përkushtim dhe zemër kanë ndërtuar breza të tërë”, shkruan ai.
Klevis Jahaj vjen nga një familje arsimtarësh në Mallakastër; babai i tij, Astrit Jahaj ka qenë profesor i Matematikës dhe ka edukuar e mësuar shumë breza, në qytetin e Ballshit derisa ndërroi jetë; kurse nëna, Natasha, mësuese e lëndës së Histori-Gjeografisë.
“Si djali i dy prindërve mësues që kanë edukuar breza të tërë në Mallakastër, jam rritur duke parë nga afër përkushtimin, sakrificat dhe dashurinë e madhe për nxënësit dhe arsimin. Kam parë sa shumë sakrificë dhe përkushtim kërkon ky profesion fisnik, shpesh në heshtje, por me një ndikim që mbetet përjetë”, shkruan Klevis Jahaj krah fotografisë me nënën.
Urimi i deputetit të Mallakastrës u drejtohet dhe gjithë mësuesve të tjerë të Shqipërisë, në këtë ditë të shënjuar për ta. “Sot ndihem krenar dhe thellësisht mirënjohës për çdo mësues që vazhdon të ndezë dritën e dijes. Gëzuar”, vijon ai.