“Epstein” fut në telashe Bondi/ Keqmenaxhimi i hetimeve, kërkohet dëshmia e prokurores së përgjithshme

Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i drejtuar nga republikanët, ka lëshuar një thirrje zyrtare ndaj Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi për të dëshmuar mbi atë që ligjvënësit e quajnë “keq menaxhim” të hetimeve të Departamentit të Drejtësisë lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein.

Kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes, James Comer, i kërkoi Bondit të japë sqarime jo vetëm për mënyrën si është trajtuar hetimi, por edhe për rrethanat e vdekjes së Epstein në vitin 2019, si dhe për materialet hetimore që lidhen me bashkëpunëtoren e tij të dënuar, Ghislaine Maxëell.

Komiteti ka votuar më herët këtë muaj në favor të marrjes në pyetje të Bondit dhe i ka kërkuar asaj të paraqitet më 14 prill. Në letrën zyrtare, Comer thekson se si Prokurore e Përgjithshme, ajo ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi mbledhjen, shqyrtimin dhe publikimin e dokumenteve në kuadër të ligjit për transparencën e dosjeve Epstein.

Epstein, një financier milioner nga New York-u i dënuar për krime seksuale, vdiq në burg në gusht 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikut seksual. Vdekja e tij shkaktoi një valë teorish konspirative dhe rriti presionin publik për publikimin e dokumenteve zyrtare. Pas miratimit të një ligji në nëntor 2025, Departamenti i Drejtësisë ka bërë publike mbi 3 milionë faqe materiale hetimore mbi Epstein dhe Maxëell. Megjithatë, këto dokumente nuk kanë ndryshuar qëndrimin zyrtar të institucionit, sipas të cilit Epstein nuk drejtonte një rrjet të organizuar të trafikut të të miturve, siç është pretenduar gjerësisht. Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë ka konfirmuar se gjetjet e publikuara mbështesin përfundimin se Epstein kreu vetëvrasje më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në Manhattan.

Në zhvillime të tjera, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick ka pranuar të dëshmojë vullnetarisht para komitetit lidhur me marrëdhënien e tij me Epstein, pasi në dokumente janë zbuluar një fotografi dhe komunikime mes tyre. Fotografia e pa datë e paraqet Lutnick në ishullin privat të Epstein në Karaibe. Komiteti i Mbikëqyrjes po kërkon gjithashtu intervista të regjistruara me disa figura të njohura, përfshirë themeluesin e Microsoft, Bill Gates, si dhe ish-ndihmës të Bill Clinton dhe drejtues të lartë të biznesit, në kuadër të hetimeve të zgjeruara mbi rrjetin e kontakteve të Epstein. Hetimi pritet të vazhdojë në javët në vijim, ndërsa ligjvënësit kërkojnë më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet federale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *