“Për jetë me dinjitet”, protestë për barazi dhe drejtësi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë

Me thirrjet “Marshojmë, s’festojmë. Njëra-tjetrën ne e mbrojmë”, një grup i personave protestuan të dielën në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kërkuar më shumë të drejta, barazi dhe drejtësi për gratë.

Protestuesit marshuan në mesditë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor, për të përfunduar te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skënderbeu”.

Organizata “Marshojmë S’Festojmë”, që organizoi protestën, tha se 8 Marsi është një ditë që rikujton zanafillat revolucionare të lëvizjes së grave dhe nevojën për të vazhduar përpjekjet kundër pabarazisë dhe dhunës.

Ata thanë se ende mbetet shumë punë për të luftuar femicidin dhe format e ndryshme të dhunës ndaj grave: fizike, emocionale, ekonomike dhe seksuale.

Në njoftimin e tyre, organizatorët përmendën gjithashtu dhunën në familje, ngacmimet seksuale në hapësira publike dhe shpërndarjen e fotografive intime pa pëlqim në internet si disa nga problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë.

Ata kritikuan edhe vendime institucionale që, sipas tyre, kufizojnë të drejtat e grave dhe vajzave.

Protesta u zhvillua në një kohë kur gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida në tregun e punës, në trashëgiminë e pronës dhe në mbrojtjen nga dhuna.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës. Po sipas këtyre të dhënave, burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.

Pabarazi të ngjashme vërehen edhe në pronësi. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, më pak se një e pesta e pronave në vend janë të regjistruara në emër të grave.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, një në tri gra në botë përjeton dhunë gjatë jetës së saj, ndërsa çdo 10 minuta një grua vritet.

Në Kosovë, nga viti 2010 janë vrarë rreth 60 gra, dhe në shumicën e rasteve autorë të krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët e tyre.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, dënimet e lehta për dhunuesit shpesh dërgojnë mesazhe “trimëruese” për autorët e dhunës.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Prishtinë u mbajtën edhe aktivitete përkujtimore.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, bëri homazhe te memoriali “Heroinat”.

Haxhiu tha se në këtë ditë kujtimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është edhe më i thellë.

“Le të kujtojmë edhe sakrificën e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe të gjitha grave që kanë kontribuar për Republikën e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës”, tha Haxhiu.

Ngjashëm me Prishtinën, protesta dhe marshime për të drejta të barabarta u mbajtën edhe në shumë vende të botës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars.

Kjo ditë shënohet me protesta dhe aktivitete që fokusohen në barazinë gjinore, të drejtat riprodhuese dhe ndalimin e dhunës ndaj grave.

Protestuesit kërkojnë, ndër të tjera, luftimin e femicidit, mbrojtjen e të drejtave riprodhuese, pagë të barabartë dhe përfaqësim më të madh të grave në politikë.

Dita Ndërkombëtare e Gruas i ka rrënjët në lëvizjet punëtore të fillimit të shekullit të 20-të, përfshirë protestat e punëtoreve të industrisë së tekstilit në vitin 1908 dhe marshin “Bukë dhe Paqe” në Petrograd në vitin 1917.

Në shumë vende, protesta shoqërohen edhe me simbole të lëvizjes feministe. Në disa shtete të Amerikës Latine, për shembull, protestuesit mbajnë shami të gjelbra për të simbolizuar mbështetjen për të drejtat riprodhuese të grave.

The post “Për jetë me dinjitet”, protestë për barazi dhe drejtësi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë appeared first on Euronews Albania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *