Mblidhen sot Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, do marrin vendim për masën e sigurisë “arrest me burg”

Mblidhen Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë për shqyrtimin dhe rishikimin e praktikës së vitit 2011 për masën e sigurisë së arrestit në burg.
Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça thotë se çështja e sotme mbart me vete dy pikat kryesore:
“Së pari me njësimin e praktikës dhe po ashtu edhe çështjen konkrete, ne kërkojmë që seanca të jetë me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që ka çështja. Përsa i përket njësimit të praktikës të jetë e hapur aq sa mund të lejohet, por për çështjen të mos jenë të pranishëm mediat.”
Avokati Luan Hasneziri që përfaqëson të pandehurin Begtash Zeneli, i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis mban po të njëjtin qëndrim.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pasi u kthyen nga dhoma e këshillimit vlerësuan se është e nevojshme që për pjesën e unifikimit të praktikës, seanca gjyqësore të zhvillohet me dy faza. Një pjesë e parë publike që lidhet me unifikimin e praktikës, ndërsa faza që lidhet me çështjen konkrete të jetë me dyer të mbyllura.
Relatori i parë Ilir Panda: relacioni që u është vënë në dispozicion që lidhet me të drejtën themelore që trajton Kushtetuta. Në këtë relacion rezulton se në tetor të 2025 policia në zonën e Lezhës ka kryer kontroll në banesën e këtij shtetasi pasi u gjet një sasi lënde narkotike dhe prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit arrest në burg dhe arrestimin e ligjshëm të arrestit. Shkalla e parë, Gjykata e Lezhës ka vendosur që të pranojë kërkesën e prokurorisë. Ndër të tjera gjykata ka vendosur të zbatojë edhe vendimin unifikues të vitit 2011 të Gjykatës së Lartë, që shërbente për nevojat për caktimin e masave të sigurimit. Nëpërmjet mbrojtësi ka bërë ankim i arrestuari në apel dhe më pas Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurimit të masës arrest në shtëpi. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs prokurori dhe ka kërkuar ndryshimin e vendimit të apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.
/vizionplus.tv