Shqipëria riciklon pak dhe importon shumë: A mund ta ndryshojë qelqi këtë model?
Një histori që nis nga një atelie dhe shkon drejt një modeli të ri për riciklimin, prodhimin dhe mënyrën si e kuptojmë vlerën

Një shishe e hedhur zakonisht shënon fundin e përdorimit të saj. Por në disa raste, mund të jetë fillimi i një cikli të ri. “Në Shqipëri, qelqi konsiderohet mbetje. Për mua, është material”, thotë Joana Dhiamanti, arkitekte dhe themeluese e një iniciative që synon t’i japë qelqit një jetë të dytë në Shqipëri. Përmes Qelq Tirana Glass Hub, ajo po përpiqet të ndërtojë një model që shkon përtej riciklimit — një qasje që lidh edukimin, prodhimin dhe ndërgjegjësimin në një sistem që sot mungon. Kjo është pika ku nis edhe një histori që shkon përtej materialit. Është një histori për mënyrën si e kuptojmë vlerën, si ndërtojmë ekonomi dhe si zgjedhim të përdorim atë që zakonisht e hedhim.
“Ne jemi vetëm konsumatorë, jo prodhues”
“Shqipëria ka pasur një industri të konsiderueshme qelqi. Sot ajo nuk ekziston më. Jemi vetëm importues”, shpjegon Dhiamanti. Kjo mungesë nuk është vetëm një boshllëk industrial. Është një model ekonomik që prodhon varësi. Produktet vijnë nga jashtë, përdoren për një kohë të shkurtër dhe më pas përfundojnë si mbetje, pa u rikthyer në cikël.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Eurostat dhe European Environment Agency, në Bashkimin Europian pjesa më e madhe e qelqit të paketimit riciklohet dhe rikthehet në përdorim. Ky material mund të riciklohet vazhdimisht pa humbur cilësinë dhe redukton ndjeshëm ndikimin mjedisor. Në Shqipëri, sipas INSTAT, menaxhimi i mbetjeve mbetet i fragmentuar dhe riciklimi ende i kufizuar, duke e lënë këtë potencial të pashfrytëzuar.

Nga një atelie në një model të ri
“Qelqi nuk është thjesht një projekt riciklimi. Është një hapësirë që përfshin edukim, ndërgjegjësim, design dhe prodhim”, thotë ajo. Kjo qasje ka lindur nga një punishte familjare në Tiranë, ku arti dhe inxhinieria janë bashkuar për vite me radhë. Ajo që nisi si një praktikë krijuese është shndërruar gradualisht në një përpjekje për të ndërtuar një model më të gjerë.
“Është një hub. Një vatër që kërkon të krijojë komunitet dhe të sjellë një frymë të re.” Në këtë model, materiali nuk shihet si mbetje, por si pikënisje.

“Mbetja është një perceptim”
“Objektivi është të ndryshojmë mënyrën si njerëzit e shohin materialin. Sepse në fund, mbetja është një perceptim”, thotë Dhiamanti. Procesi mund të duket i thjeshtë: individë dhe biznese sjellin mbetjet e tyre, ato përpunohen dhe kthehen në produkte të reja. Por sfida reale është më e thellë. Ajo lidhet me mënyrën si një shoqëri e kupton vlerën e gjërave. “Ne përpiqemi të tregojmë se çfarë jete mund të marrë një produkt që konsiderohet i përfunduar.” Në këtë kuptim, dizajni nuk është vetëm estetikë, por një mënyrë për të rishkruar historinë e një materiali.

Edukimi që shumëfishohet
“Kur punon me fëmijët, edukon dy breza”, thotë ajo. Përmes kurseve dhe programeve edukative, kjo qasje synon të krijojë një marrëdhënie të re me materialet dhe mjedisin. Fëmijët, ndryshe nga të rriturit, nuk mbartin të njëjtat paragjykime. “Ata janë më të hapur, më krijues. Shpesh japin zgjidhje që janë njëkohësisht estetike dhe funksionale.” Ndikimi nuk mbetet vetëm te ata. Ai kalon te familjet dhe komuniteti, duke krijuar një efekt më të gjerë se vetë procesi mësimor.
Një potencial që pret të zhvillohet
“Qelqi është një nevojë, jo vetëm për riciklimin, por për të rinisur një industri që nuk ekziston më”, thekson Dhiamanti. Materiali ka potencial për përdorim në shumë sektorë, nga ndërtimi te produktet e përditshme dhe dizajni. Nëse zhvillohet infrastruktura e duhur, ai mund të kontribuojë në uljen e importeve dhe rritjen e prodhimit vendas. Por për ta bërë këtë, nevojitet më shumë se iniciativa individuale. Nevojitet një qasje e koordinuar, që lidh politikën, biznesin dhe edukimin.

Klima dhe përfshirja
Diskutimi për ekonominë qarkulluese nuk është vetëm teknik. Ai është edhe social. Sipas UN Women dhe UNEP, ndikimet e krizës klimatike dhe mundësitë që krijohen nga ekonomia e gjelbër nuk shpërndahen gjithmonë në mënyrë të barabartë. Kjo e bën të rëndësishme që modelet e reja të zhvillimit të jenë jo vetëm të qëndrueshme, por edhe gjithëpërfshirëse.
“Kërkoni më shumë të bukurën”
Në fund, mesazhi i saj shkon përtej qelqit: “Konsumi nuk na jep kënaqësi. Duhet të kërkojmë më shumë të bukurën”. Dhe e bukura, sipas Joanës , mund të gjendet edhe në një objekt të hedhur. “Për dikë një shishe nuk është asgjë. Për mua, është një mundësi për të krijuar diçka që ka vlerë.”

Një pyetje që mbetet
Nëse Shqipëria do të ndërtojë një ekonomi qarkulluese, ajo do të duhet të bëjë më shumë sesa të menaxhojë mbetjet. Do të duhet të ndryshojë mënyrën si i sheh ato. Sepse në fund, nuk është vetëm çështje materiali. Është çështje perspektive.

Projekti i Infinit+ mbështetet nga #GreenAL, projekt i cili financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga CoPlan në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.