AJRI QË SËMUR! NDOTJA E AJRIT SI KRIZË URBANE DHE SHËNDETËSORE
Autorë:
Agida Koçi- gazetare
Prof. Asc. Qamil Dika- Ekspert i shëndetit publik, pedagog në Universitetin e Mjekësisë
ABSTRAKT
Ky artikull i bazuar në gazetarinë shkencore, në bashkëautorësi mes një gazetareje dhe një eksperti të shëndetit publik, shqyrton ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e popullatës urbane në Shqipëri, me fokus të veçantë në qytetin e Tiranës. Hulumtimi analizon burimet kryesore të ndotjes së ajrit, si trafiku i automjeteve, aktivitetet industriale, ndërtimet dhe menaxhimi i mbetjeve, si dhe ndotësit kryesorë atmosferikë si grimcat e imëta (PM2.5 dhe PM10), dioksidi i azotit (NO₂), ozoni në nivel tokësor (O₃) dhe dioksidi i squfurit (SO₂). Përmes analizës së të dhënave nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe intervistave me ekspertë të shëndetit dhe mjedisit, artikulli evidenton lidhjen mes ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit dhe rritjes së sëmundjeve respiratore, alergjive, patologjive kronike pulmonare dhe vdekshmërisë së parakohshme. Studimi trajton gjithashtu ndikimin e ndotjes në grupe të ndjeshme si fëmijët dhe të moshuarit, si dhe sjell raste konkrete nga qytete të ndryshme të vendit ku ndotja është kthyer në një problem të përditshëm për shëndetin publik. Artikulli thekson nevojën për politika të integruara të planifikimit urban, përmirësim të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe forcim të masave parandaluese për të reduktuar ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve. Ky material synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në nxitjen e politikave më efektive për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit në Shqipëri.
“Nëse do dilni shëtitje me fëmijë të vegjël përgjatë anëve të rrugëve, sidomos në Tiranë, merrini në krahë, mos i lini të ulur në karrocë” – me këtë “merak” e nis bisedën me ne, mjeku Enver Roshi. “Shkarkimi i gazeve nga automjetet – vijon ai – është në të njëjtën lartësi me fëmijën e ulur në karrocë dhe rrit rrezikun për hyrjen e tyre në organizëm. Vetëm nga liqeni mund të shëtisësh me karrocë pa frikë”.

Gazetarja Agida Koçi dhe eksperti i shëndetit publik, Enver Roshi
Studimi që profesor Roshi ka bërë një vit më parë së bashku me dy pedagogë të tjerë të Universitetit të Mjekësisë, është një tjetër provë në të ashtquajturën lidhje zinxhir mes ndotjes së ajrit dhe rritjes së disa tipe sëmundjesh kryesisht mushkërish, jo rrallë edhe fatale. “Unë si kriter të ndotjes përdor praninë e joneve të lehta që i gjejmë në Dajt ose një lehtësim kur bie shi. Ndotja shkakton edhe lodhje nervore, ndotja shkakton edhe stres. Të gjitha këto janë ndikime të shumta në organizimin e njeriut. Ulin paaftësinë për punë. Ulin dëgjimin dhe shikimin” – na tregon profesor Roshi. Sipas tij problemet më të mëdha në shëndet, të shkaktuara nga ndotja e ajrit ndjehen më shumë te fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Të fëmijët ndotja e ajrit mund të japë alergji, dermatite, infeksione lëkure etj.
Çfarë është ndotja e ajrit dhe cilët janë ndotësit kryesorë
Ndotja e ajrit përcaktohet si prania e substancave të dëmshme në atmosferë në nivele që mund të kenë ndikim negativ mbi shëndetin e njeriut, ekosistemet dhe mjedisin. Këto substanca, të njohura si ndotës, vijnë nga burime natyrore (p.sh., erozioni, vullkanet) dhe antropogjene (p.sh., industria, transporti, ngrohja shtëpiake). Në kontekstin e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), ndotësit kryesorë përfshijnë grimcat e imëta (PM2.5 dhe PM10), dioksidi i azotit (NO2), ozoni në nivel tokësor (O3) dhe dioksidi i squfurit (SO2)
Në vendin tonë ka 4 stacione të monitorimit të ajrit. Ja si shprehet mjeku Enver Roshi, ish drejtues i Institutit të Shëndetit Publik dhe njëkohësisht pedagog në fakultetin e mjekësisë.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Mjedisit që varet nga Ministria e Mjedisit, disponon 4 stacione të monitorimit të ajrit. Ato janë 2 në Tiranë, një në Durrës dhe një në Korçë. Këto stacione monitorojnë të gjithë sasinë e gazeve që çlirohen në natyrë dhe njëkohësisht madhësinë e pluhurave të tyre. Nga rezultatet ka dalë që lagjia më e ndotur në Tiranë është 21 dhjetori, ish- Kinostudio, Farmacia 10”.
Nëse do të bënim një listim të shkaktarëve kryesore të ndotjes së ajrit në vendin tonë e kryesisht Tiranë, sipas Roshit do të ishin:
- Oksidi i karbonit që vjen nga transporti
- Dioksidi i squfurit që vjen nga nafta
- Nox që vijnë nga transporti
- Ozone që vjen nga transporti
- Pluhurat pm2,5 që vijnë edhe nga djegia e pyjeve.
Të njëjtët ndotës theksohen edhe në një raport të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në vitin 2024 të grupuar në kategori së bashku me ndikimin që kanë në shëndet. (file:///C:/Users/gesim/Downloads/Raporti-Gjendjes-Mjedsit-2024-AKM-final%20(1)%20(2).pdf)

(Agjensia Kombëtare e Mjedisit)

(Agjensia Kombëtare e Mjedisit)

(Agjensia Kombëtare e Mjedisit)
Po sipas të njëjtit raport, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka realizuar monitorimin e cilësisë së ajrit urban me stacione automatike në qytetet kryesore të vendit tonë si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë për treguesit kryesorë të cilësisë së ajrit urban si: PM10, PM2.5, NO2, SO2 , O3, CO dhe BTEX. Pas këtyre monitorimeve përfundimi ka qenë se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e nje niveli shumë të mirë.
Ndotësit kryesorë të cilësisë së ajrit urban janë grimcat e pluhurit me diametër 10 mikron (PM10) dhe 2.5 mikoron (PM2.5), specifikisht në stacionin Grimm AKM, Korcë dhe Elbasan. Burimet kryesore të ndotjes nga PM10 dhe PM2.5 në stacionin Grimm AKM dhe Elbasan lidhet me trafikun dhe ndërtimet në afërsi të stacioneve ndërsa në qytetin e Korçës lidhen me ngrohjen me dru gjatë periudhës së dimrit. Vlerat më të larta të O3 janë monitoruar në qytetin e Korcës. Kemi vlera që janë afër normës 8 orare, saktësisht 113.53 µg/m³ dhe 111.23 µg/m³ krahasuar me normën 8 orare të O3 që është 120 µg/m³.
Lidhja ndotje ajri – shëndet mes studimeve dhe denoncimeve
Prej shumë vitesh studiuesit po gjejnë lidhje të rëndësishme mes ajrit të ndotur që ne thithim dhe rritjes së sëmundjeve që mund ta kenë zanafillën pikërisht në këtë pikë. E këtu nuk po flasim vetëm për sëmundje si alergjitë, astma, bronkiti kronik, infeksionet respiratore por edhe për sëmundje si tumori mushkërive që përfundon në pjesën dërrmuese të pacientëve në fatalitet. Gjatë vitit 2023 në vendin tonë kanceri i mushkërive ishte kanceri i 3-t më i shpeshtë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik pohohen edhe nga bluzat e bardha duke shtuar se këto raste janë edhe më të shtuara në numër, pasi një pjesë e tyre mbeten të paidentifikuara.
Pasojat e ndotjes së ajrit në shëndet, çuan pak muaj më parë Gentian Sejranin, avokat me profesion dhe qytetar në qytetin e Elbasanit dyerve të gjykatës për të ngritur një kërkesë padi ndaj kësaj bashkie dhe Eco-El, kompanisë që menaxhon mbetjet në Landifilin e Elbasanit. Sipas padisë, nëna e tij, e cila prej vitesh vuan nga astma bronkiale, ka përkeqësime të shëndetit kur ndotja në ajër rritet.
“Nëna ime vuan prej shumë vitesh nga sëmundja kronike, astma bronkiale. Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore përkeqësohet në momentet kur nivelet e ndotjes së ajrit janë të larta. Kjo ndodhi edhe në ditët kur në landfillin e qytetit u dogjën mbetjet, duke krijuar një ndotje të madhe të ajrit. Si pasojë, asaj iu desh të përdorte pompat e astmës më shpesh se zakonisht, për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Është botërisht e njohur se ndotja e ajrit sjell pasoja të drejtpërdrejta te personat që vuajnë nga sëmundje kronike astmatike. Megjithatë, këtë e kuptojnë më së miri vetë personat që përballen çdo ditë me këto probleme shëndetësore”- na pohon Sejrani.
Sipas tij, ndotja në këtë qytet është bërë një problem i përditshëm për qytetarët.
“Ndotja në qytetin e Elbasanit është një problem që daton që prej kohës së metalurgjikut. Me shembjen e sistemit dhe mbylljen e fabrikave në vitet e para të demokracisë, ndotja e mjedisit pati një ulje për shkak të mosfunksionimit të tyre. Megjithatë, pas disa vitesh, me rifillimin e aktivitetit të fabrikës së çimentos dhe të Kurumit, ndotja e mjedisit u rikthye si një problem i madh për qytetarët e Elbasanit, të cilët si pasojë e saj nisën të përballen me probleme shëndetësore. Efektet e ndotjes ndikuan edhe në aspekte të tjera të jetës së përditshme. Në vitet e fundit, një shqetësim shtesë për qytetarët është bërë djegia e mbetjeve në pikën e grumbullimit, e cila ka krijuar një situatë ekstreme të ndotjes së ajrit dhe ka rritur më tej rrezikun për probleme shëndetësore” – thekson Sejrani që është ndër të paktat raste që këtë problem përveçse mediatik e bëri edhe çështje gjyqësore.
Elbasani kjo vatër e frikshme ndotjeje
Në Elbasan takuam edhe ekspertin e mjedisit, banor i qytetit Ahmet Mehmeti. Dëshpërimi dhe revolta i lexoheshin lehtë teksa fliste për jetesën në qytetin e tij dhe luftën për të ndryshuar situatën.
Ai shprehet se çdo ditë që kalon është një ditë më afër sëmundjes, vdekjes. Sipas ekspertit problem shumë i rëndë janë metalet e rënda dhe është paradoksal fakti që bizneset ndotëse sot bëjnë vetëmonitorim të situatës, gjë që bie ndesh me faktet dhe realitetin.

Ahmet Mehmeti, ekspert i mjedisit
“Një herë në 3 muaj jepet një raport që quhet vetëmonitorim, por ligji nuk zbatohet. E harton firma që bën ndotjen, siç i do qejfi. Mekanizmi është i tillë që privati ka laborator që bën analiza dhe i bën matjet në 4-5 ditë që nuk ka ndotje. Laboratori jep dokumentin dhe duket sikur bëhet matje normale, gënjejnë veten. Këtu në Elbasan kanceri ka arritur rekord, askush nuk përgjigjet”.
Mehmeti nuk është ndalur këtu. Ai ka vijuar përpjekjet për të denoncuar ndotjen që sipas ekspertit po rrezikon shëndetin e banorëve në Elbasan.
“Kam bërë matje personale për ujin, ajrin e tokën. Mostrat për tokën i kam bërë në Çeki. Kemi çuar vezë, kampione toke të marra dhe rezultati e dini cili është? Zëmë vendin e dytë në botë për ndotjen nga çimento. Tani çimento u hoq nga Elbasani, shkoi në Fushë Krujë, por ndotja mbeti. Ne flasim vetëm për matje çasti që është një sekondë në jetën tonë, por ndotja mbetet në tokë. Ne kemi toka të infektuara e sërish të investuara. Nëpërmjet mekanizmave të tyre elementët ndotës futen në fruta e perime. Më pas grimcat futen në organizëm, e kthehen në sëmundje. Nëse në vitin 2001 sëmundshmëria kancerogjene ishte 10 në 10 mijë banorë, pas 10 vitesh u bë 25 – 30 për 10 mijë banorë.
Në eksperiencën e tij, eksperti i mjedisit nuk është mjaftuar me një lloj matjeje.
“Kemi matur 8 elemente, metale të rënda në ajër. Zinkun, plumbin, kadiumin, bakrin, kromin, nikelin, hekurin. Nivelet ishin katastrofike sipas standardeve amerikane, kanadeze e europiane. Nëse në kombinatin metalurgjik matjet tregonin 8-fishin e ndotjes së ajrit në krahasim me Komunitetin Evropian, në qytet kur nuk kishte erë, ndotja ishte 4 – fish më e lartë, pra një ndotje ferri. Kur nuk ka erë shpërndahet në mënyrë natyrale edhe ndotja. Kur ka erë, varet nga drejtimi i erës”.
Ndërsa e pyetëm ekspertin se çfarë masash merrte në të përditshmen e tij, kryefjalë ishte moskonsumimi i produkteve të prodhuara në qytetin ku ai banonte.
“Unë vetë, perimet nga zona e Bradasheshit nuk i blej, peshqit që rriten në Shkumbin nuk i prek. Nuk kemi ç’të bëjmë. Elbasani është numër 1 i ndotjes, një varr i hapur që nuk është në varësi të bashkisë por ministrisë së mjedisit”.
Ndotja dhe alergjitë
Sipas mjekes alergologe, imunologe klinike, Klaudia Leçini, ndotësit kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në alergjitë respiratore janë grimcat e imëta të cilat depërtojnë thellë në mushkëri si dhe gazrat ndotës si dioksidi i azotit (NO₂), ozoni troposferik (O₃) dhe dioksidi i squfurit (SO₂). Këta ndotës shkaktojnë irritim kronik të mukozës respiratore rrisin inflamacionin lokal dhe e bëjnë organizmin më të ndjeshëm ndaj alergjenëve si polenet, pluhuri dhe marimangat.
Vitet e fundit po identifikohen ndotës të rinj si grimcat ultrafine, mikroplastikat në ajër dhe substanca kimike që çlirohen nga djegia e mbetjeve dhe karburanteve me cilësi të ulët. Këta ndotës nuk shkaktojnë gjithmonë alergji klasike por mund të çojnë në gjendje të reja patologjike si bronkiti irritativ kronik, hiperreaktiviteti bronkial dhe astma jo-alergjike.
Ndërsa harta e organeve të trupit dhe ndikimit të tipologjive të gazeve të dëmshëm në to, duket kështu:

Përmbledhje e sistemeve të organeve të ekspozuara ndaj grimcave të pezulluara në ajër (PM) dhe sëmundjeve që lidhen pozitivisht me ekspozimin ndaj tyre.
*https://scholar.google.com/scholar?q=Pryor+et+al.,+2022&hl=en&as_sdt=0&as_vis=1&oi=scholart
“Madhësia 2,5 mikron e pluhurave kalon nivelin e bronkiolave. Kështu pluhurat thithen duke dhënë efekte deri në gjak. Si pasojë janë shtuar bronkopneumonitë por edhe vështirësi në aspekte të tjera të organizmit. Këto efekte nuk vijnë vetëm nga çlirimi i dioksidit të karbonit por edhe i dioksidit të squfurit edhe i shumë NOX-eve që clirohen në natyrë, ndaj në verë ndodh ajo që quhet inversi i temperaturës ose smogu fotokimik, si pasojë e veprimit të NOX-eve me rrezet e dritës formohen fototoksina që janë edhe kancerogjene për problemet e frymëmarrjes dhe mushkërive. NOX janë oksidet e azotit të cilat në kontakt me ujin, temperaturat e larta apo hidrogjenin formojnë acide të cilat shpërndahen në ajër, bien në ujë, në tokë, dëmtojmë bimësinë, ushqejnë kafshët dhe shkojnë tek njeriu” – tregon mjeku Roshi.
A mundet ndotja e ajrit të “krijojë” alergji te persona që më parë nuk kanë pasur probleme alergjike? Ndotja e ajrit mund të veprojë si faktor nxitës për zhvillimin e alergjive. Ajo dëmton barrierën mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes duke lehtësuar depërtimin e alergjenëve dhe duke aktivizuar sistemin imunitar. Si pasojë edhe persona pa histori alergjie mund të zhvillojnë simptoma alergjike pas ekspozimit të zgjatur ndaj ajrit të ndotur. Në praktikën klinike vërehet një rritje e ndjeshme e rasteve me rinit alergjik, astmë dhe përkeqësime të tyre gjatë periudhave me ndotje të lartë të ajrit. Kjo lidhet drejtpërdrejt me rritjen e inflamacionit respirator dhe uljen e tolerancës ndaj alergjenëve.
Ndotja e ajrit dhe vdekshmëria e parakohshme
Sipas OBSH-së, ndotja e ajrit shkakton rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit*. Por si qëndron ky raport në vendin tonë?
Shqipëria ka numrin më të madh të vdekjeve në Europë me shkaktar ndotësin O3 me më shumë se 100 YLL (years of life lost) për banorë, ndjekur nga Mali i Zi, Bosnja & Hercegovina, Greqia dhe Kosova. Të dhëna këto që vijnë nga Agjencia Europiane e Mjedisit në njëraport të publikuar në vitin 2023.
https://www.who.int/data/gho/data/themes/air-pollution

(Agjensia Europiane e Mjedisit)

(Agjensia Europiane e Mjedisit)
Grupet më vulnerabël të cilët riskohen nga këto patologji janë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë si dhe punonjësit që ekspozohen në ambiente ku ndotja është e pranishme. Në Shqipëri, 1 në 6 fëmijë në Tiranë raporton simptoma (UNICEF, 2025), ndërsa në BE incidenca është 1 në 10 falë ajrit më të pastër.
Ndotja e ajrit, e drejtuar nga PM2.5, PM10, NO2, O3 dhe SO2, mbetet një krizë shëndetësore dhe mjedisore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku nivelet janë 3-6 herë mbi udhëzimet e OBSH së. Krahasuar me BE, ku politikave si Green Deal i kanë ulur ndotjen me 20-25%, Ballkani kërkon aksione urgjente për të reduktuar ndikimet fatale.
Sa i përket vdekshmërisë së parakohshme në vendin tonë, mjeku Enver Roshi shprehet:
“Sipas vlerësimeve të OBSH ne kemi 4600 vdekje të parakohshme në vitin 2021. Rritja e niveleve të dioksidit të azotit, 12,6 mikrogram për metër kub shoqërohet me 380 vdekje premature. Nga rritja e ozonit rezultojnë në 430 vdekje shtesë. 1% e rritjes së pm2,5 shoqërohet me 32% rritje të Spok (Sëmundje pulmonare obstructive kronike). Mesatarisht niveli i tyre në 2023 ishte 3,3 herë më i lartë se norma e OBSH. Shqipëria renditet në vendin e 60 nga 134 vende në botë në termat e ndotjes së ajrit, pra në shifra të larta. 54, 5 % e vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare i atribuohen ndotes se ajrit”.
Ndërtimet, a mund të bëjmë edhe ne TIRANA HEALTHY CITY?
Healthy City është një projekt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i cili u strukturua në fund të viteve 80 për të evokuar në agjendën prioritare të politikbërësve dhe vendimmarrësve në nivel lokal dhe qëndror çështjet që ndikojnë në shëndetin e qytetarëve. Në këtë drejtim Tirana është përballë një situate akute për harmonizimin e politikave të planifikimit urban me efekt ndërsektorial.
Ka ardhur koha që për politikat urbane që atakojnë zhvillimin e qytetit dhe rrjedhimisht edhe shëndetin e qytetarëve duhet të krijohet një sinergji ndërinstitucionale e cila na mundëson një ekspertizë të vlefshme nga ekspertë të shëndetit publik mbi ndikimin afatmesëm dhe aftagjatë në shëndet të këtyre incentivave. Ndotja e ajrit nuk është vetëm problem mjedisor, por një krizë urbane dhe shëndetësore. Prej gati një dekade tashmë kryesisht në Tiranën metropolitane si dhe në bregdetin e jugut të Shqipërisë nuk po ndërtohen më pallate të vecanta por “lagje” të reja rezidenciale apo pallate shumëkatëshe që i ngajnë lagjeve vertikale.
Sipas bashkëautorit të këtij artikulli, prof. Asc Qamil Dika, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Mjekësisë në Shqipëri, për dhënien e këtyre lejeve zhvillimore dhe më pas të ndërtimit nga institucionet e pushtetit vendor osë ato qëndrore sic është rasti i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit nuk kanë asnjë oponencë nga ekspertrë të shëndetit publik për të cilët kjo situatë është alarmante. Ne tashmë jemi në përfundim të dhjetra komplekseve apo rezidencave të tilla të cilat nuk kanë të parashikuar në asnjë rast akses në shërbim shëndetësor publik (investime të tilla nuk harmonizohen me planifikime nga ana e institucioneve publike për ndërtimin e qëndrave shëndetësore publike), nuk shoqërohen me standarde ndërkombëtare të qëndrueshme të infrastruktruës rrugore duke krijuar vështirësi të mëdha jo vetëm në drejtim të cilësisë së jetës për qytetarët por dhe një mungesë të theksuar aksesi në drejtim të shërbimit mjekësor, aksesit për arsim. Mjafton të kujtojmë që aktualisht në zonën e Astirit akoma nuk është zgjidhur, pas më shumë se 2 dekadash urbanizim cështjha e një cerdheje si dhe shkollave deri në arsimin universitar.
Rekomandime
Për ta përmirësuar këtë situatë sipas Prof. Asc. Qamil Dika dhe kontribuesve në këtë shkrim rekomandohet:
- Planifikim urban me konsultim ndërsketoriale, planifikim i rrugëve, planifikim i gjelbërimit. Duhen krijuar korridore gjelbërimi në lidhje me transportin. Sa më shumë të rritet masa e gjelbër në qytet aq më shumë bie ndotja. Është kushti i vetëm që e e zbut disi ndotjen.
- Planifikim urban dhe politika të qëndrueshme të cilat bazohen në plane afatmesme dhe orientohen në qëndrueshëmri afatgjatë në përputhje me trendet zhvillimore globale.
- Të vendoset si parakusht për dhënien e lejeve të zhvillimit e më pas të ndërtimit oponenca e ekspertëve të shëndetit publik për realizimin e ndërtesave publike apo civile për të vlerësuar saktësisht ndikimin në shëndetin e popullatës.
- Të krijohet bordi mbikqyrës i vlerësimit mbi shëndetin pranë institucioneve të pushtetit vendor si dhe agjencive qeveritare që adminsitrojnë tërritorin për të propozuar në mënyrë ciklike cdo 3 apo 5 vite planin e masave konkrete për përmisimin në nivel lokal, rajonal apo vendi.
- Një urgjencë kombëtare është edukimi shëndetësor, kryesisht ndaj fëmijëve në systemin arsimor të cilët kanë mundësi të rriten të shëndetëshëm dhe të edukuar për të respektuar dhe mbrojtur mjedisin. Edhe për këtë është e nevojshme një strategji kombëtare e shoqëruar me një seri ndërhyrjesh përmes politikave të ndryshme sektoriale që përfshijnë arsimin në cdo nivel, qasjen e familjes, rolin e medias si dhe atë të institucioneve.
- Promovimi i orientuar i politikave të qyteteve të shëndetshme për politikanët vendorë si dhe për institucionet vendimëmarrëse në nivel lokal.
- Të rritet ndëshkueshmëria e abuzuesve (drejtues institucionesh apo ndërtues) të cilët nuk respektojnë standardet në planifikimin urban.
- Të konsiderohen me përparësi dhe të hartohet një plan masash specifik mbi transportin dhe menaxhimin e mbetjeve në qytet.
- Duhet të futen makina të reja, të kontrolluara tek koalidimi.
- Makinat që çlirojnë gazra të padjegura nuk duhet të futen në qarkullim. Të përdoren makinat elektrike.
- Përdorimi i metodave biologjike. Ato konsistojnë në mbjelljen e bimëve specifike që kanë aftësi të kapin metalet, psh kromin. Pasi bima rritet, pritet dhe groposet në një vend që është larg zonave dhe ujrave të pijshëm. Ka edhe metoda kimike ku neutralizohen përbërësit kimikë, psh gëlqerizimi.
*Ky material është krijuar nga projekti GreenAL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.