
Gazetarja Danjela Maloku tha se reagimet e ndërkombëtarëve për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ishin shumë të forta.
Maloku, e ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, u shpreh se ndryshe nga herët e tjera, kur ndërkombëtarët zgjidhnin të heshtnin ose të jepnin mesazhe të koduara, këtë herë qëndrimet kanë qenë shumë më të drejtpërdrejta duke theksuar se qeveria ka gabuar.
Sipas saj, reagimi i Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se qeveria shqiptare nuk ka vepruar drejt në këtë rast.
Gazetarja shtoi se kryeministri Edi Rama ka qenë i vetëdijshëm për qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë, por sipas saj nuk e ka parashikuar që reagimi do të ishte kaq publik dhe i drejtpërdrejtë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Të forta reagimet e vendeve evropiane?
Maloku: Ishin reagime shumë të forta. Ndërkombëtarët zakonisht kanë zgjedhur ose të heshtin, ose të japin mesazhe me kode. Këtë herë, me sa kuptova unë, ishin shumë më të qarta. Një reagim që ka pasur edhe Komisioni Evropian e tregoi qartë që qeveria këtë herë nuk ka vepruar drejt. Unë besoj se Rama e ka ditur qëndrimin e ndërkombëtarëve, por nuk dinte reagimin kaq publik. Besoj se edhe vetë socialistët janë të habitur nga këto reagime.
/vizionplus.tv
